Vllasi: VV po propozon “kandidate Ferrari” për ta zvarritur Kuvendin

126

Në seancën e sotme, LVV propozoi për kryetare të Kuvendit fillimisht Albulena Haxhiun, e cila dështoi përsëri të marrë votat e mjaftueshme. Pas saj, LVV propozoi Donika Gërvallen.

Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, e ka komentuar situatën si një strategji të qëllimshme nga ana e liderit të VV-së, Albin Kurti.

“Po të ishte Kurti i interesuar që të zgjidhet Kryetari i Kuvendit, kjo punë do ishte kryer që moti,” u shpreh Vllasi për IndeksOnline.

Sipas tij, qëllimi i Kurtit nuk është konstituimi i Kuvendit, por krijimi i kushteve për zgjedhje të reja.

“Ai e ka për synim Qeverinë e VV, pa koalicion. Dhe përmes zhagitjes me çështjen e Kryetarit/es të Kuvendit, blen kohë. Synon në zgjedhje të reja ku shpreson se do të fitojë sikur në zgjedhjet e fundit.

Vllasi kritikon edhe mënyrën se si po propozohen kandidatët për kryetar Kuvendi.

“Për Kryetare të Kuvendit propozon kandidate/ferrari të cilat e dinë që nuk i marrin numrin e duhur të votave”.

Ai e sheh këtë qasje si pjesë të një llogarie politike që prek edhe Presidenten Vjosa Osmani.

“Po ashtu, me një femër eventualisht në postin e Kryetarit të Kuvendit, synon që t’ia zvoglojë shanset Vjosa Osmanit për rizgjedhje edhe një mandat.”

Sipas Vllasit, zgjedhja do të kishte ndodhur më herët nëse kandidati do të ishte tjetër.

“Me Glauk Konjufcën si kandidat për Kryetar Kuvendi kjo çështje moti ishte kryer.”

Zhvillimet në Kuvend mbeten të pasigurta, me shumë pikëpyetje për hapat e ardhshëm të partive politike në përpjekje për formimin e institucioneve./IndeksOnline/

Comments