VMRO – DPMNE nuk kërkon përgjegjësi për Dime Spasov

Por, sipas anëtarit të Këshillit ekzekutiv të partisë, Antonio Milloshoski, asgjë nuk përjashtohet. Partia më së pari dëshiron të shohë çka është fakt relevant e çka është ekzagjerim politik.
“Nuk është punë e partive politike të bëjnë hetime dhe të gjykojnë për çfarëdo incidenti që ngjanë. Prandaj duhet institucionet kompetente t’i ndërmarrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme dhe të gjithë të marrin përgjegjësinë sepse të gjithë ne jemi të barabartë para ligjit”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Të ngjashme ishin përgjigjet e Milloshoskit edhe për pyetjet e tjera nga gazetarët lidhur me këtë temë. Në asnjë moment ai nuk deshi të komentojë ose të mbajë anë në versionet e ofruara nga MPB-ja dhe Dime Spasov, përkatësisht kush është fajtor e kush viktimë.
Ai vetëm kritikoi opozitën se po përpiqet politikisht të përfitojë në llogari të partisë në pushtet. Përderisa pritet zgjidhje institucionale e rastit Dime Spasov, arritën kërkesa të reja për dorëheqje të zyrtarit të qeverisë.
Nga Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit thonë se me ikjen nga vendi i aksidentit, Spasov ka kryer vepër penale. Nga partia FRODEM e Jove Kekenovskit, pyesin, nëse vërtetë Spasov ka ikur nga dikush, e logjikshme do ishte ai vetë të shkojë në polici, e jo të ikë edhe nga policia pasi është ndaluar.