VMRO me teka të reja për ligjin për shtetësi! Kërkon debat publik, ASh-AAA kërkon të mos ketë prolongime

408
fresco

Pasi tërhoqi mbi 540 amendamentet që i kishin dorëzuar për ligjin për shtetësinë, opozitarja VRMO-DPMNE tani me procedurale në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri kërkon që të ketë debat publik, ku ekspertë e institucione do të jepnin mendime rreth ndryshimeve që parashihet të bëhen.

“Konsideroj se debati publik duhet t’i paraprijë mbivotimit ose debatit për çfarëdo amendamentesh për të cilën një ose dy parti politike kanë arritur pajtueshmëri. Vlerësoj se kjo nuk është e mjaftueshme”, u shpreh deputeti opozitar Antonio Milloshovski.

Koalicioni Aleanca-Alternativa ka përgatitur 10 amendamente për ndryshim dhe plotësim të ligjit. Shefi i grupit parlamentar Skënder Rexhepi kërkoi që deputetët të japin mendime dhe amendamente, por të mos e politizojnë çështjen e shtetësisë.

“Unë konsideroj se nuk duhet të prolongohet aspak mbledhja, nuk duhet të prolongohet në asnjë mënyrë sepse do të jemi shumë vonë për ta sjellë në formë ligjore, një nevojë eminente për të gjithë qytetarët tanë”, tha Rexhepi, përcjell tv21.tv.

Arbër Ademi nga BDI, duke iu kundërpërgjigjur VMRO-DPMNE-së që kërkon debat publik, rikujtoi se nenin 145 i Rregullores në të cilën thirren ata, është vetëm për leximin e parë të ligjit që tashmë ka kaluar.

“Jemi në lexim të dytë dhe kërkoj konstuktivitet nga të gjitha partitë politike parlamentare, nga të gjithë deputetët në veçanti që janë në këtë seancë të këtij Komisioni dhe të vazhdojmë të procedojmë më tutje dhe dëshiroj të theksoj se kjo çështje është e rëndësishme”, deklaroi Ademi.

Po Milloshovski dha propozim shtesë, që të veprohet sipas nenit 122 të Rregullores, ku parashihet që Komisioni mund të ftojë profesionalë dhe organizata për të dhënë mendime. Po Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa u shpreh se kërkesa e VMRO-DPMNE-së për debat është e vonuar.

“Është mirë që ta hapim debatin rreth këtyre amendamenteve dhe aty të japim amendamentet tona. E vlerësoj propozimin e kolegëve nga VMRO-ja rreth debatit publik por vlerësoj, mendimi im është se kjo çështje ka mundur të bëhet më herët”, vlerësoi Zendeli.

Partia “E majta” është kundër këtij Ligji. Komisioni u ndërpre dhe pritet të vazhdojë ditëve në vijim. U vendos që koalicioni ASh-AAA, si propozues, amendamentet t’i dorëzojnë deri tek grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe anëtarëve të Komisionit për Mbrojte dhe Siguri./TV21

Comments