Vodhen mbi 1.4 milion denarë nga një kazino në Shkup – tre persona të dyshuar, njëri në arrati

Në fazën parahetimore, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup janë siguruar dëshmi që tregojnë dyshime të bazuara ndaj tre personave si autorë të veprës penale – “Vjedhje e rëndë” nga neni 236 paragrafi 1 pika 2 e Kodit Penal, e kryer më 11 prill në një kazino në Butel.
Prokurori publik ka nisur hetimin, pasi ekziston dyshimi se të tre kanë bashkëpunuar për të kryer vjedhjen dhe nga kazinoja kanë marrë 1.460.856 denarë.
Një ditë para ngjarjes, të dyshuarit – dy vëllezër të moshës 20 dhe 22 vjeç dhe një 29-vjeçar i punësuar në kazino – ishin ulur në një kafene dhe kishin planifikuar se si do ta kryenin vjedhjen.

Sipas marrëveshjes, ditën kritike, i dyshuari që punonte në kazino u kishte dhënë shenjë se kur ishte momenti i përshtatshëm për të vepruar. Vëllezërit mbërritën me veturë para kazinosë; njëri qëndroi në makinë, ndërsa tjetri, i maskuar, hyri me forcë në objekt, iu drejtua arkës dhe fillimisht i tregoi një pistoletë të punësuarit – gjithashtu i dyshuar – sikur ta kërcënonte. Më pas ai e la pistoletën në banak dhe së bashku mbushën një çantë me të ardhurat e ditës së kaluar, me qëllim që t’i përvetësonin në mënyrë të paligjshme. Menjëherë pas kësaj, dy vëllezërit u larguan nga vendi i ngjarjes.
Prokurori publik, duke vlerësuar të gjitha rrethanat dhe bazën ligjore, paraqiti kërkesë tek gjyqtari i procedurës paraprake për të përcaktuar masa kujdesi për dy të dyshuarit që janë privuar nga liria. Propozohen masa si ndalim i lënies së vendbanimit, detyrim për paraqitje periodike në gjykatë, ndalim për përdorimin e pasaportës, ndalim për të vizituar kazinonë si dhe ndalim për t’u afruar, kontaktuar apo mbajtur lidhje me të dyshuarit e tjerë.
Për të dyshuarin e tretë që është në arrati, është propozuar masa e paraburgimit që do të zbatohet pas kapjes dhe privimit të tij nga liria.