Vonohet vendosja e kamerave termale në Aeroportin e Shkupit

Jo të gjithë udhëtarët që mbërritën në aeroportin e Shkupit nga Dubai, vendi prej ku dyshohet se në Maqedoni mund të bartet Koronavirusi u kontrolluan me kamerë termale.
“Edhe pse institucionet shëndetësore një ditë më parë e dhanë alarmin se edhe në Maqedoni duhet të merren masa të rrepta kundër Koronavirusit një gjë e tillë nuk ka ndodhur plotësisht pasi që udhëtarët që kanë arritur nga Dubai nuk janë kontrolluar të gjithë me kamerën termale”.
Aeroplani me udhëtarë nga Dubai, ateroi në Shkup në mesditë, ndërsa mediave nuk iu mundësua që të futen me kohë në vendin ku ndodhej Kamera termale, e cila detekton personat që mund të jenë të infektuar. Por ajo që ra në sy, është fakti që kur gazetarët u lejuan të hyjnë, kamera termale ishte jofunksionale.
Mjekja e Institutit të Shëndetit Publik nuk mundi të konfirmojë nëse të gjithë udhëtarët nga Dubai janë kontrolluar.
Unë shpresoj se janë kontrolluar por nuk mund të pohoj, pasi unë kur erdha kamera ishte e lëshuar në përdorim, ndërsa në një moment u resetua dhe u lëshua përsëri në përdorim. Neve kur na u tha erdhëm. Në fakt mua kur më thanë erdha menjëherë. Ndërsa si është komunikimi mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik vetëm mund të them se mbrëmë u mbajt seanca e Komisionit për sëmundje infektive, janë miratuar konstatime të caktuara dhe në bazë të atyre konstatimeve veprohet – tha Marija Goçevska, Mjeke.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se asnjë shtetas i Maqedonisë në Kinë dhe vendet e tjera për momentin nuk është i prekur nga virusi vdekjeprurës. Ndërkohë në Kinë situata vazhdon të përkeqësohet edhe më shumë. Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve kineze, numri i viktimave në qytetin Vuhan ka arritur në 80, ndërsa janë prekur mbi 2744 persona, prej të cilëve 461 në gjendje të rëndë. Të infektuar nga virusi ka edhe jashtë Kinës. Tetë persona në Tajlandë, nga pesë në Australi dhe SHBA, nga katër në Japoni, Korenë e Jugut, Singapor dhe Malajzi, nga tre persona të infektuar janë regjistruar në Francë dhe Tajvan, dy në Vietnam dhe nga një në Kanada dhe Nepal.
Mefail Ismaili