Vrasja e shqiptarit në Itali / Detajet si ndodhi sherri që nisi në diskotekë dhe përfundoi në një parkim!

122
fresco

Vijon hetimi për zbardhjen e plotë të vrasjes së Hekuran Cumanit, një i ri 23-vjeçar me origjinë shqiptare dhe shtetësi italiane, që u qëllua me thikë për vdekje në një parking pranë Universitetit të Perugias, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit, në parkingun përballë Departamentit të Matematikës dhe Informatikës. Sipas të dhënave paraprake nga hetuesit, sherri ka nisur brenda një diskoteke dhe më pas është përshkallëzuar jashtë saj, për arsye banale.

Në përleshjen fizike ishin përfshirë dy grupe të rinjsh. Hetimet deri tani kanë përjashtuar lidhjet me banda kriminale.

Autoritetet janë ende në kërkim të autorëve të vrasjes, por edhe të thikës me të cilën u godit për vdekje Cumani. Deri tani, asnjë nga grupet e përfshira nuk rezulton të ketë pasur armë në momentin e fillimit të sherrit. Dyshohet se një person i tretë, ka ardhur më vonë dhe ka sjellë me vete armën e krimit.

Policia ka marrë në pyetje dhjetëra persona, përfshirë edhe vëllain e viktimës, i cili ka pësuar lëndime të lehta, por sipas hetuesve, nuk ka dhënë informacione vendimtare për identifikimin e autorit.

Reagimet dhe mesazhet e dhimbjes

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Perugia dhe Fabriano, qyteti ku banonte i riu.

“Është e dhimbshme dhe e papranueshme që një jetë kaq e re të shuhet në këtë mënyrë”, u shpreh Stefania Proietti, presidente e rajonit Umbria.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Fabrianos, Daniela Ghergo, deklaroi:

“Jemi të tronditur nga tragjedia që goditi një të ri të qytetit tonë. Kjo dhunë barbare që i merr jetën një të riu përfaqëson një deformim të thellë të vlerave mbi të cilat mbështetet shoqëria jonë.”

Prokuroria e Perugias ka marrë në dorë hetimin dhe pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime mbi identifikimin e autorit të kësaj vrasjeje tragjike.

Comments