Vrasja në Gllogjan vazhdon të mbetet e mistershme, dorasi në liri gjashtë ditë pas ngjarjes
Tre persona kanë humbur jetën gjashtë ditë më parë si pasojë e të shtënave me armë në Gllogjan të Komunës së Deçanit.
Shoferi i autobusit si dhe dy nxënës mbetën pa shenja jete si pasojë e të shtënave me kallashnikov nga një person i dyshimtë i cili po vazhdon të mbetet enigmatikë ende për organet e rendit në vend.
Anipse është bërë gati një javë nga kjo ngjarje tejet tragjike, nga autoritetet kosovare ende nuk është dhënë informacioni për arrestimin e ndonjë personi të dyshimtë.
Si për çudi nga ngjarjet e tjera të ngjashme nga Prokuroria e Pejës po vazhdojnë të mos japin detaje lidhur me rastin.
Lajmi.net ka tentuar prej disa ditësh të marrë përgjigje nga Zyra për Media në kuadër të Prokurorisë së Pejës, por këta të fundit kanë zgjedhur të mos deklarohen.
Pavarësisht kësaj, ngjarja po vazhdon të mbetet nën hetim e pa ndonjë zhvillim të madh se çfarë saktësisht ndodhi apo kush saktësisht shkaktoi vrasjen e tre personave.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti deklaroi ditë më parë se nuk kanë ende informacione për motivin e mundshëm lidhur sulmin me armë zjarri, ku humbën jetën shoferi dhe dy nxënës.
Mehmeti theksoi se ka rreth tri pista që qojnë nga informacionet e mbledhura, por që asgjë nuk është definitive.
“Aktualisht mund të flasim për një sistem të dy, përkatësisht tri pistave të mundshme të hetimit dhe të gjitha informacionet që jemi duke i mbledhur, por edhe provat materiale nga vendi i ngjarjes çojnë në këtë drejtim. Po flasim për një person, por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë, që nënkupton se mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Në kuptimin e qarkullimit të personit, janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme, të cilat do të na tregojnë saktë se prej nga ka ardhur, ku ka qëndruar dhe nga ka shkuar”, tha Mehmeti.
Pavarësisht se Policia e Kosovës nuk ka arrestuar asnjë person, ishte ministri i Punëve të Brendshme të vendit, Xhelal Sveçla i cili publikisht i bëri ultimatum dorasit që të dorëzohet duke ftuar kështu qytetarët që kanë informacione, t’iu drejtohen organeve të rendit dhe hetuesisë.
“Unë i bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet sepse për çdo ditë ai rëndon të tjerët. E dimë shumë mirë që kushdo që ndihmon vrasësit implikohet në vepër të rëndë penale”, tha Sveçla.
Kurse nga Prokuroria Themelore në Pejë ditë më parë deklaruan se posedojnë disa indikacione, të cilat janë duke gjurmuar e që po ecin përpara në mënyrë që t’i vërtetojnë ato.
Të njëjtit poashtu kanë theksuar se ky rast nuk është fare i lehtë, por që po punojnë që t’i japin drejtimin e duhur deri në zbardhjen e detajeve.
Ngjarja e 26 nëntorit padyshim se mbetet një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në Kosovë paslufte.
Dy të rinj dhe drejtuesi i këtij autobusi humbën jetën nga të shtënat me armë nga një AK-47, i drejtuar nga një person i dyshimtë ende i pazbuluar.
Edhe pse rajoni i Deçanit u rrethua nga polic të cilët menjëherë filluan kërkimin e tij, një gjë e tillë nuk u arrit.
Familjarë, miq e drejtues institucionesh u mblodhën së fundi në varrimin e viktimave në Deçan, teksa theksuan se dhimbja është shumë e madhe dhe se shpresojnë në zgjidhjen e këtij rasti.
Madje nga Qeveria e Kosovës së fundi janë ofruar 20 mijë euro shpërblim për këdo që mund të ofrojë informacione lidhur me dorasin.
“Apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti. Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192, dhe e-mail: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftimin e bërë nga institucionet qeverisëse në vend.
Aktin në fjalë e kanë dënuar kryeministri, presidentja, drejtues të tjerë ministrive,të Kuvendit të Kosovës , deputet si dhe përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve të huaja të cilët veprojnë në Kosovë./Lajmi.net/