“Vrasja në Greqi dhe vrasja te Rruga e Plastikave”, Prokuroria: Janë arrestuar 4 persona nga aksioni i sotëm në Shkup

Nga Prokuroria Themelore Publike kanë dhënë informacione shtesë nga aksioni i sotëm i policisë, ku u kryen bastisje në 5 lokacione në Shkup, përcjell TV21. Nga Prokuroria thonë se bastisjet u bënë si rezultat i provave të siguruara nga hetimi në rastin “Bunker”, që ka të bëjë me anëtarët e grupit “Bellanoca-Baron”. Sipas Prokurorisë, gjatë bastisjeve janë arrestuar katër persona, ndërsa në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve është gjetur një sasi më e madhe e marihuanës, që do t’i nënshtrohet ekspertizës.
“Prokurori publik ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër të arrestuarve, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale “Shoqërim kriminale” dhe “Vrasje”, ndërsa njëri nga të dyshuarit akuzohet edhe për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve”.”, thonë nga Prokuroria.

Nga Prokuroria thonë se të arrestuarit dyshohen për vrasjen më 26 maj të vitit 2024 te e ashtuquajtura Rruga e Plastikave, ku viktimë e gjuajtjeve me armë ishte A.I. Të arrestuarit gjithashtu dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e O.B., i cili u vra më 15 korrik të vitit 2023 në Hanioti të Greqisë.
“Sipas provave të siguruara, gjatë vitit 2023 të dyshuarit janë bërë anëtarë të një grupi që ka vepruar për një periudhë më të gjatë kohore dhe ka pasur për qëllim kryerjen e veprave penale Vrasjes për hakmarrje dhe me pagesë, që dënohen me të paktën dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe vepra të tjera penale. Ata, duke pranuar vendimet dhe udhëzimet e organizatorëve të grupit kriminal, në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime për sigurimin e kushteve, heqjen e pengesave dhe vënien në dispozicion të fondeve për ekzekutimin e urdhrave për privim nga jeta të njerëzve. Kështu, tre nga të dyshuarit, gjatë muajit korrik 2023, në territorin e Maqedonisë dhe Greqisë, të nxitur dhe me urdhër të një organizatori të dyshuar më parë të grupit, kanë ndërmarrë veprime për zbulimin e vendndodhjes së të dëmtuarit dhe sigurimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale, gjatë së cilës është privuar nga jeta një anëtari i grupit të organizuar kriminal kundërshtar “Gërçec” në Greqi. Në maj të vitit 2024, para një objekti në të ashtuquajturën “Rruga e Plastikave”, dy të dyshuar kanë kryer vrasjen e një personi, dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes kanë qëlluar në një automjet të parkuar aty pranë, duke plagosur persona të tjerë, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë”, thonë nga Prokuroria./tv21.tv