Vrasje e dyfishtë në Manëz Durrës, dyshohet për konflikt për motive të dobëta
Durrës – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit të sotëm (22 tetor 2025) në Manëz, pranë një karburanti, ku dy persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e një konflikti të armatosur.
Viktimat janë shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz. Nga të dhënat paraprake të Policisë, dyshohet se konflikti ka lindur për motive të dobëta.
Sipas hetimeve të para të kryera nga grupi hetimor, dyshohet se F. P. është qëlluar për vdekje nga shtetasi D. P., 21 vjeç, ndërsa A. K. është vrarë nga vetë F. P., gjatë përplasjes me armë.
Policia vijon kontrollet intensive për kapjen e autorit të dyshuar, D. P., ndërkohë që një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë.
Hetimet janë në vijim.