Vuçiq: Në kampin për stërvitje luftarake në Serbi ishin edhe tre shtetas rusë

Autoritetet në Serbi kanë konstatuar se në kampin për stërvitje luftarake-taktike të shtetasve moldavianë dhe rumunë në perëndim të Serbisë kanë qenë të pranishëm tre shtetas të Federatës Ruse, deklaroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 15 tetor.
Këtë deklaratë Vuçiq e bëri gjatë konferencës për media në Beograd me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke iu përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ishte verifikuar pretendimi se shërbimet ruse qëndronin pas kampit luftarak pranë Loznicës.
“Nuk mund të them se ishte ndonjë shërbim rus, por kemi konstatuar praninë e tre shtetasve rusë në kampin Sunçana Reka, afër Loznicës. Kemi shoqëruar personat e kombësisë serbe që ishin të disponueshëm për ne. Ata na dhanë informacion për personat në fjalë dhe hetimi vazhdon”, shtoi presidenti serb.
Më 26 shtator, Policia në Serbi arrestoi dy persona nën dyshimet se kishin organizuar trajnime luftarake-taktike për shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë, me qëllim që ata të nxisnin trazira në Moldavi.
Këto arrestime ndodhën pasi autoritetet në Moldavi publikisht paralajmëruan për ekzistencën e kampeve luftarake në Serbi, duke thënë se ato ishin organizuar nga një shërbim sekret rus me qëllim destabilizimin e Moldavisë gjatë zgjedhjeve që ky shtet mbajti së voni.
Moska mohoi akuzat, ndërsa policia dhe prokuroria serbe në njoftimet e tyre nuk e përmendën Rusinë.
Policia serbe njoftoi se trajnimi u zhvillua nga 16 korriku deri më 12 shtator në një objekt afër Loznicës, në pjesën perëndimore të Serbisë dhe, sipas autoriteteve, në të morën pjesë midis 150 dhe 170 shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë.
Kjo nuk është hera e parë që Moldavia paralajmëron për ekzistencën e kampeve ruse në Ballkanin Perëndimor.
Përpara zgjedhjeve të vitit 2024, Kishinjevi tha se në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë ishin organizuar trajnime të drejtuara nga persona të lidhur me paramilitarët rusë.
Beogradi nuk e ka konfirmuar ekzistencën e tyre.
Moldavia e ka informuar Bashkimin Evropian për rastin e ri.