Vuçiq nuk i kursen fyerjet ndaj Perëndimit: Asnjë ‘Olluja’ nuk do të ketë më sukses
Mijëra qytetarë u mblodhën të dielën në mbrëmje në Sremski Karlovci të Serbisë në një tubim për të përkujtuar atë që e quajnë “dëbimin e serbëve” nga Kroacia gjatë operacionit “Oluja” (Stuhia) në vitin 1995 — një ngjarje që në Kroaci përkujtohet si Dita e Fitores në luftën e viteve 1990, shkruan Index.hr
Në këtë tubim të organizuar nga autoritetet serbe u theksua se viktimat nuk duhet të harrohen, se “Serbia do të ruajë paqen dhe stabilitetin” dhe se “asnjëherë më dhe askujt nuk do t’i lejohet të kryejë një tjetër ‘Oluja’”.
Pjesëmarrja e udhëheqjes shtetërore
Që nga viti 2015, udhëheqja e Serbisë e shënon këtë përvjetor bashkë me përfaqësues të entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Sërpska (RS).
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se ndaj serbëve janë kryer padrejtësi të mëdha gjatë 30 viteve të fundit, përfshirë, siç e konsideron ai, “humbjen e territorit të Kosovës dhe dëbimin e serbëve nga Kroacia”. Ai akuzoi Perëndimin për propagandë, duke thënë se i kanë paraqitur serbët si “barbarë dhe kriminelë që duhen mposhtur”.
“Turp të keni, maskarenj!”, u shpreh Vuçiq në drejtim të liderëve perëndimorë, duke shtuar se është “i lodhur nga gënjeshtrat e tyre”.
“Për ata që kërkojnë një tjetër ‘Oluja’, qoftë në Serbi apo në RS, kam një porosi: mos guxoni! Asnjë ‘Oluja’ nuk do të ketë më sukses dhe askush nuk do ta kërcënojë më lirinë e serbëve,” tha Vuçiq.
Ai njoftoi se më 20 shtator do të mbahet një paradë e madhe ushtarake, duke theksuar se Serbia po forcohet, por “nuk i kërcënon askënd – ushtria jonë është për të mbrojtur popullin dhe vendin tonë, jo për të sulmuar të tjerët”.
Deklaratat e Dodikut dhe patriarkut Porfirije
Presidenti i RS-së, Milorad Dodik, deklaroi se “Oluja” përfundoi me spastrim etnik “ashtu siç donin amerikanët e asaj kohe që mbështetën Kroacinë”. Dodik, i cili së fundmi u dënua me një vit burg dhe ndalim prej gjashtë vjetësh nga funksionet publike, shtoi se Bosnja dhe Hercegovina “nuk është shteti i tij”, dhe se populli serb në Serbi dhe RS duhet të bashkohet rreth një politike që vendos interesin e serbëve mbi gjithçka dhe të ndërmarrë një “ofensivë politike”.
“Ne nuk mund të jetojmë me ata që duan të na zvogëlojnë dhe të na dëbojnë. RS dëshiron të shohë një Serbi të fortë dhe të madhe”, tha Dodik.
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Porfirije, bëri thirrje për heqje dorë nga urrejtja, duke kujtuar fjalët e Krishtit: “Duaje të afërmin tënd si veten tënde” dhe “duaje armikun tënd”, duke theksuar se vetëm të krishterët e vërtetë mund ta bëjnë këtë.
“Duke pasur parasysh fjalët e Krishtit, nuk duhet të lejojmë që të mbizotërojë urrejtja mes nesh, sepse ajo çon në një rreth vicioz të së keqes, në të cilin të gjithë humbasim”, tha patriarku.

