Vuçiq nxjerr policinë ushtarake kundër protestuesve: Ushtria përballë qytetarëve në rrugët e Beogradit

111

Në rrjetet sociale është shfaqur një video që tregon një veturë zyrtare të Policisë Ushtarake të Ushtrisë së Serbisë në një vend të pazakontë – në afërsi të Parkut të Pionirëve, pranë të ashtuquajturit kamp „Cacilend“. Kjo ka ngjallur shumë dyshime dhe reagime në publik, ndërsa Ministria e Mbrojtjes deri tani nuk ka ofruar asnjë përgjigje zyrtare, raporton portali Nova.rs.

Në video shihet qartë një veturë e tipit “Shkoda” me mbishkrimet zyrtare të Policisë Ushtarake. Kjo ka ngritur pyetje serioze nëse kjo njësi elitare e Ushtrisë së Serbisë ka nisur të sigurojë kampin „Cacilend“, i cili ndodhet në zemër të Beogradit.

Sipas burimeve jozyrtare, arsyeja e pranisë së Policisë Ushtarake mund të jetë mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme të policisë civile, e cila prej ditësh është e angazhuar në ndjekjen dhe shpërndarjen e protestave studentore dhe qytetare që kanë nisur më 28 qershor – në ditën e Vidovdanit.

Kritikët pohojnë se ky është një tjetër shembull i keqpërdorimit të institucioneve shtetërore për interesa politike, një praktikë që ata ia atribuojnë pushtetit të Partisë Progresive Serbe (SNS). Nëse angazhimi i Policisë Ushtarake për sigurinë e „Cacilend“-it konfirmohet, kjo do të paraqiste një precedent të rrezikshëm dhe pa bazë ligjore, pasi as ky kamp nuk mund të klasifikohet si objekt ushtarak që kërkon mbrojtje të tillë.

Avokati dhe ish-komisioneri për informim publik, Rodoljub Shabiq, thekson për Nova.rs se Ministria e Mbrojtjes ka për detyrë t’i përgjigjet pyetjeve të mediave dhe publikut:

“Qytetarët nuk e dinë më qartë se cilat janë kompetencat e ushtrisë, policisë apo të shërbimit të sigurisë BIA. Institucionet po keqpërdoren në mënyrë të hapur dhe mungesa e kontrollit civil është alarmante”, thotë Shabiq.

Ai shton se ndryshimet e rregullave përmes dekreteve dhe pa debat publik janë bërë praktikë, veçanërisht nga ministri aktual i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, dikur në krye të BIA.

Në të kaluarën, pjesëtarë të ushtrisë janë trajnuar për ndërhyrje në trazira, por vetëm për misione paqeruajtëse jashtë vendit. Tani, ekziston frika se kjo njohuri mund të përdoret për të shtypur protesta të brendshme, nën pretekstin e ndonjë urdhri të fshehtë.

Kampi „Cacilend“, i krijuar si projekt i regjimit për „studentët që duan të mësojnë“, është kthyer në zonë të mbyllur për qytetarët e zakonshëm dhe ka qenë epiqendër e incidenteve të shumta ndaj aktivistëve, studentëve dhe gazetarëve – pa pasoja ligjore për autorët.

Përkundër prapaskenave të qarta politike, Ministria e Mbrojtjes deri më tani nuk ka dhënë asnjë sqarim për praninë e Policisë Ushtarake në këtë zonë të ndjeshme të kryeqytetit.

Comments