Walker: Masakra e Reçakut, dëshmi e asaj që ka ndodhur në të gjithë Kosovën

410

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker ka vizituar sot Reçakun në 21 vjetorin e masakrës që ndodhi në këtë fshat.

Walker, që edhe kishte zgjuar vëmendjen e ndërkombëtarëve për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë gjatë luftës, sot tha se i ka përjetimet e njëjta sa herë të vije në Reçak, shkruan lajmi.net.

Para mediave tha se njerëzit duhet t’i mbajnë mend ndodhitë e luftës në Kosovë.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur në Reçak, është dëshmi se çka ka ndodhur në gjithë Kosovën.

“Ndihem njëjtë çdo vit. Unë jam i kënaqur që çdo vit këtu vijnë më shumë njerëz për të parë se çka ka ndodhur në këtë vend, ngase kjo reprezenton atë se çka ka ndodhur në të gjithë Kosovën. Unë jam familjarizuar me Reçakun, mirëpo edhe qindra masakra tjera kanë ndodhur në Kosovë dhe shpresoj që njerëzit t’i mbajnë mend ato”, tha ai.

Walker tha se ka kujtime jo të mira sa herë që viziton Reçakun.

“Masakrat që kanë ndodhur kanë çuar në liri dhe në një Kosovë të pavarur. Por, sa herë vij këtu më kujtohet 15 janari i 1999-ës kur isha këtu, dhe më sjellin kujtime të këqija. Sidoqoftë jam shumë i kënaqur me mënyrën se si njerëzit me presin”, tha në fund ai. /Lajmi.net/

Comments