“Xhamia” përçanë banorët e fshatit Kopanicë të Tetovës

949

Fshati Kopanicë, që graviton në Komunën e Jegunovcës dhe është vetëm 10 kilometra larg Tetovës, nuk ka ambulantë, as doktor, as fushë sporti, as qendër rekreative, por ka dy xhami! E kjo gjë ka bërë që banorët e fshatit Kopanicë të përçahen për shkak të lokacionit ku janë ndërtuar xhamitë, njofton Gazeta Express.

Sipas informatave që ka siguruar Gazeta Express, plani ka qenë që të ndërtohet xhamia e re në lokacionin ku ka qenë xhamia e vjetër, por një grup i vogël njerëzish ka insistuar që xhamia të ndërtohet në pjesën tjetër të fshatit, respektivisht afër shtëpisë së tyre, ose në lagjen e tyre.

Sipas burimeve të Gazetës Express, këshilli i fshatit ka qenë kundër dislokimit të xhamisë, madje, redaksia e Expressit në Shkup ka siguruar edhe dokumentin e arkivuar në Komunën e Jegunovcës, ku shihet se si Myftinia e Tetovës ka autorizuar këshillin organizativ për ndërtimin e xhamisë së parë, në të njëjtin lokacion ku ka qenë xhamia e vjetër, shkruan Gazeta Express.Gazeta Express mëson se fillimisht, Myftinia e Tetovës madje edhe Bashkësia Fetare Islame ka qenë kundër ndërtimit të xhamisë së dytë në fshatin Kopanicë me vetëm 150 shtëpi, por që më vonë Myftinia e Tetovës ka ndryshuar mendje, dhe ka dhënë leje për ndërtimin e xhamisë së dytë në këtë fshat.

Burimet e Gazetës Express njoftojnë se grupi i njerëzve që kanë insistuar në ndërtimin e xhamisë së dytë, u kanë premtuar bashkëfshatarëve të tyre se nëse e përkrahin idenë për dislokimin e xhamisë, do të lirohen nga pagesa për hoxhën.

Duke iu referuar burimit tonë, shuma e investuar në xhaminë e dytë të fshatit kap shifrën 900 mijë euro, para këto të cilat kanë ardhur donacion nga njerëz të ndryshëm, por që një pjesë e madhe e kontributit ka qenë nga një biznesmen i po të njëjtit fshat, që punon dhe vepron në shtetet perëndimore.

Kreu i BFI-së Reis. Ul.. Sulejman Rexhepi dhe Myftiu i Tetovës Qani Nesimi kanë qenë në përurimin e të dy xhamive, ndërtimi i të cilave filloi në vitin 2017 dhe përfundoi në vitin 2019.

Redaksia e Gazetës Express sot adresoi disa pyetje tek BFI-ja për të kuptuar se a ka pasur nevojë për ndërtimin e dy xhamive dhe nëse kryesia e BFI-së ka zgjidhje për të pajtuar banorët e fshatit Kopanicë, të cilët sipas burimeve tona, i kanë prishur marrëdhëniet ndërmjet vetes shkaku i ndarjes që është krijuar me ndërtimin e xhamive, megjithatë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga BFI-ja.

Madje jozyrtarisht mësohet se xhamia e dytë, apo xhamia larg lokacionit të xhamisë së vjetër, është ndërtuar pa leje. Për këtë gjë gjithashtu kemi dërguar pyetje në BFI, përgjigjet e të cilëve ende po i presim.

Ndryshe, burimi që ka kontaktuar Gazetën Express thotë që misioni i fesë dhe xhamive është që të bashkojnë njerëzit për një jetë më të mirë, e jo që të përçajnë njerëzit. Andaj ai bën apel për intervenimin e organeve fetare kompetente për të përmirësuar situatën e krijuar në fshatin e tij.

Për ndryshe, fshati Kopanicë ka rreth 300 banorë dhe numëron rreth 150 shtëpi, ndërsa një pjesë dërmuese e tyre kanë migruar jashtë vendit, në kërkim të një jete më të mirë./GazetaExpress/

Comments