Ymeri: Qeveria ka humbur legjitimitetin, zgjedhjet janë alternativa e vetme

230
fresco

midle

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve balkaneu.com flet për krizën politike në Kosovë, procesin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ai ndalet në themelimin Ushtrisë së Kosovës dhe shpjegon se ky proces do të vazhdoj të pengohet nga Serbia. Lideri i partisë më të madhe opozitare në Kosovë flet edhe për diplomacinë si dhe proceset eurointegruese, transmenton agjencia e lajmeve INA.

IBNA: A mund të prodhojë kriza politike në Kosove zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Zgjedhjet janë e vetmja rrugë për daljen nga kjo situatë sepse zgjidhja e vetme për të ardhmen e këtij vendi mbetet populli i Kosovës. Koalicioni aktual ka kohë që e ka humbur legjitimitetin. Ky koalicion i ka sjellë vendit marrëveshje që e ndan Kosovën së brendshmi në vija etnike, marrëveshje kjo që rezultoi në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Ikja nga përgjegjësia e kryeministrit që hodhi firmën në këtë marrëveshje është shembull i keq, por edhe precedent i rrezikshëm. Çfarë tjetër nuk tolerohet nëse tolerohet shkelja e Kushtetutës?! Si mund të kërkojmë nga qytetarët respektim të ligjit kur kryeministri ka shkelur ligjin themelor -Kushtetutën?!

Kjo Qeveri e ka humbur besimin e njerëzve sepse janë 205 mijë qytetarë që kanë hedhur firmën kundër projekteve kryesore të saj: Demarkacionit dhe ‘Zajednicës’ (Asociacionit), por edhe mbi 100 mijë sish që kanë protestuar disa herë aktivisht në Prishtinë. Kjo Qeveri duhet të shkojë sepse u ka premtuar qytetarëve mbi 300 mijë vende pune, por u ka sjellë veç dhunë e mjerim.

Veç legjitimitetit, për të cilin nuk është se u bëhet vonë, ky koalicion e ka humbur edhe kuptimin e ekzistencës. Pas ndalimit të Demarkacionit dhe Asociacionit, kjo Qeveri më nuk i duhet askujt, për të mirë as për të keq. Jo që ka qenë e padobishme karshi interesit qytetar, por po bëhet e papërdorshme edhe për ndërkombëtarët.

IBNA: Le të analizojmë disa nga problematikat. Së pari si e shihni procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe fundin e tij?

Një nga sukseset me të mëdha pas vitit 1999 në Kosovë është rezultati që ka prodhuar rezistenca kundër ‘Zajednicës’. Ndalimi i këtij projekti është mbrojtja më e madhe që i është bërë vendit ndaj rrezikut të ndarjes së brendshme drejt territorializimit të autonomisë serbe në Kosovë. Për këtë duhet falënderuar secilin qytetar, grupim shoqëror apo subjekt politik.

Por, dështimi i ‘Zajednicës’ duhet të shërbej edhe si moment reflektimi për vetë procesin që na ka sjellur deri këtu. Nuk mund të kemi proces të drejtë e të mirëmenduar, por rezultat të dëmshëm. Është dialogu pa kushte, pa barazi midis palëve, dhe vetëm për çështje të brendshme të Kosovës që ka sjellur rezultate të tilla. Andaj, dështimi i ‘Zajednicës’ është hiq më pak sesa dështim i dialogut në tërësi.

IBNA: Çështje tjetër e mprehtë është fati i Ushtrisë së Kosovës. Ç’do të ndodhë me të?

Formimi i ushtrisë së Kosovës kërkon zbatimin e mekanizmit të shumicës së dyfishtë, zgjedhje kjo e përbrendësuar në Kushtetutën e vendit nga Plani i Ahtisaarit. Në anën tjetër, logjika ndarëse e Planit të Ahtisaarit bashkë me dialogun pa parime të Brukselit kanë çuar në formimin e listës ‘Srpska’ që dirigjohet nga Beogradi. Kjo dmth që për formimin e Ushtrisë së Kosovës duhet të pajtohet Serbia. Këtë pengesë duhet t’ua kujtojmë të gjithë atyre që ende bëjnë be e rrfe në Planin e Ahtisaarit.

Plani i Ahtisaarit nuk është platforma për Republikën sovrane. Përkundrazi, tejkalimi i tij përben kushtin themelor që të mos mbetemi shtet i dështuar, gjithmonë nën mëshirën e të tjerëve.

IBNA: Demarkacioni, është një tjetër çështje serioze. A mund të prodhojë tensione mes Prishtinës dhe Podgoricës?

Kosova dhe Mali i zi kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Duhet thënë se sa i përket çështjes së Demarkacionit, më konstruktive kane qenë institucionet e Malit të zi sesa Qeveria e Kosovës. Ato kanë deklaruar disa herë se nuk duan të përfitojnë tokë të Kosovës, siç edhe janë shprehur të gatshëm të diskutojnë për këtë çështje. Madje, tash së fundi është kuptuar që lidhja e këtij procesi me liberalizimin e vizave nuk ka qenë kërkesë nga Brukseli, por insistim nga Prishtina, për të fituar kështu një instrument shantazhi mbi deputetët. Të gjithë në Prishtinë duan zgjidhjen e Demarkacionit, por jo në dëm të territorit të Kosovës. Ndërkaq, rreziku i vetëm për tensionim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Malit të zi qëndron tek vendosja eventuale për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit siç është në versionin aktual.

Në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! së fundi kam propozuar hapat që duhet të ndërmerren për zgjidhjen e problemit:

1. Marrëveshja për demarkacionin duhet të jetë në përputhje me rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Publike.

2. Kuvendi i Kosovës duhet të themeloj një komision gjithë-partiak dhe mbi-partiak, që të jap udhëzimet për demarkimin me Malin e Zi. Njëkohësisht duhet të themelohet edhe një komision hetimor, që të hetoj marrëveshjen e 26 gushtit.

3. Kryeministri, përmes një shkrese zyrtare, duhet të dërgoj kërkesë homologut të tij nga Mali i Zi, për rishikim të marrëveshjes.

4. Kryeministri, përmes një shkrese zyrtare, të zotohet para institucioneve të BE-së për zgjidhje të drejte në lidhje me demarkacionin, dhe të kërkoj që kjo të mos jetë pengesë për procesin e liberalizimit të vizave dhe proceset e mëtutjeshme për integrime evropiane.

5. Duhet të organizohet një konferencë shkencore ndërkombëtare në Prishtinë për çështjen e demarkacionit, më njohës vendor dhe ndërkombëtar.

IBNA: Procesi i njohjes së Kosovës nga shtetet e ndryshme, a ka ngecur?

Diplomacia kosovare nuk mund të jetë e suksesshme për sa kohë shtetin së brendshmi e kemi të pazhvilluar. Nuk mund të kemi diplomaci të fuqishme pa rritje e forcim të kapaciteteve brenda. Duhet thënë se njohjet e deritashme kanë ardhur më shumë si rezultat i ndihmës së vendeve mike, sesa që tregojnë ndonjë qasje proaktive të Ministrisë së Jashtme. Në anën tjetër, dialogu i vazhdueshëm dhe pa afat me Serbinë ka shërbyer si argument për diplomacinë serbe në raport me vendet që nuk na kanë njohur. Për sa kohë vazhdon dialogu, Serbia kërkon prej tyre që mos të bëhen hapa të ‘njëanshëm’ që dëmtojnë dialogun.

IBNA: Kur do të jetë Kosova një vend i zhvilluar ekonomikisht, një vend i integruar në strukturat euroantlantike?

Kosovës do t’i hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik, kur qytetarët të bashkohen kundër dogmës neoliberale, drejt shtetit zhvillimor. Ndryshimi i paradigmës është kushti dhe mundësia për një gjë të tillë. Atëherë mund të bëhemi nga eksportues parash në eksportues mallrash; nga ekonomi nxjerrëse në ekonomi prodhuese me vlerë të shtuar; nga konsumatorë të zhveshur në punëtorë me të drejta.

Comments