Zbulohet rrjeti turk i drogës në Fushë Kosovë: Katër të arrestuar, përfshirë pronar kompanie transporti

75
fresco

Një operacion i gjerë i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve në Prishtinë, ka çuar në arrestimin e katër shtetasve turq të dyshuar për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të narkotikëve.

Sipas të dhënave që ka siguruar Sinjali, hetimet nisën pas një informacioni të pranuar nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili njoftoi Policinë e Kosovës se vëllai i tij ishte arrestuar në Turqi me mbi 100 kilogramë marihuanë. Ai kishte dhënë edhe të dhëna për kompaninë dhe personat e mundshëm të përfshirë në rast.

Si rezultat i hetimeve, policia identifikoi personat B.O., rreth 22-vjeçar, I.K., rreth 30-vjeçar, M.A, rreth 19-vjeçar dhe U.K., rreth 44-vjeçar, të gjithë shtetas të Turqisë. M.A, i cili figuron si pronar i kompanisë së transportit, ishte takuar në Fushë Kosovë me shtetasin nga Maqedonia për të “sqaruar” rrethanat e rastit, moment në të cilin u arrestua nga hetuesit.

Pas marrjes së autorizimit nga Prokurorja kujdestare, u bastisën dy banesa në rrugën Hajrulla Zymi – Fushë Kosovë.

Në njërën prej tyre, ku banonin B.O., dhe I.K., policia gjeti dhe konfiskoi: 1.482 gramë marihuanë, peshore elektronike, çanta të zbrazëta dhe qese për paketim, pajisje elektronike për paketim, një laptop, pesë telefona dhe një sef të vogël.

Ndërsa në banesën e U.K, hetuesit sekuestruan 590 euro para të gatshme, një laptop, tre telefona të mençur dhe dokumente të ndryshme.

U bastis edhe depoja-punëtori e I.K., dhe B.O., në rrugën “Fazli Grajçevci”, ku nuk u gjetën narkotikë, por u konfiskua një automjet transportues Fiat i bardhë që dyshohet të jetë përdorur për transportin e mallrave.

Me urdhër të Prokurores, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar lidhjet ndërkombëtare të këtij rrjeti të dyshuar të trafikut të drogës.

Comments