Zemaj: Nuk mund t’i besojmë Kurtit në dialog me Serbinë

174

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se kryeministrit Albin Kurti nuk mund t’i besohet në raport me dialogun Kosovë – Serbi.

Zemaj e akuzoi Kurtin se i ka shkelur të gjitha parimet e tij që i kishte në të kaluarën sa i përket dialogut, teksa e fajësoi edhe për gjuhën e urrejtjes të cilën sipas tij e ka përdorur vazhdimisht për kundërshtarët politikë.

“Kam argumente, që Kurti është i pabesueshëm në këtë proces, e ka humb besueshmërinë kur i ka shkelë parimet para se me hy në proces të dialogut, për vite të tëra ka sulmu me gjuhë të urrejtjes ka krijua polarizim te qytetarët që kushdo që negocion me Vuçiqin është tradhtar dhe bëhet pjesë e tradhtisë, se Serbia nuk ka paguar për dëmet e luftës, nuk janë gjetur të pagjeturit, dhe në fund nuk janë dënu kriminelët e vërtetë”, ka thënë ai.

Edhe kur ka pranuar të jetë pjesë e dialogut, sipas Zemajt, Kurti ka rënë në grackat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Po ashtu, ai e ka akuzuar për dëmtim të raporteve me ndërkombëtarët.

“Edhe kur kanë hy në pushtet, kanë thënë se dialogu nuk është prioritet, për dy vite top prioritet e ka dialogun, sepse pjesa ekonomike nuk po shihet fare. E treta raportin që e ka ndërtu në dialog, duke bërë lëvizje të gabuara, duke kaluar në lojën e Vuçiqit dhe të atyre që pak më pak janë dashamirë të Kosovës, duke na futur neve në kriza për prishjen e raporteve apo devijim të rrugës evropiane të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Zemajt, Kurti i ka pranuar të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe se po ashtu, e ka shtuar edhe vetëmenaxhimin dhe statusin e Kishës Ortodokse serbe.

Comments