Zgjedhjet 2016, Ahmeti: Arsimi, shtylla kryesore e një kombi

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i shoqëruar me ministrin e Arsimit, Pishtar Lutfiun, dhe shefin e shtabit zgjedhor, Bekim Nezirin, në kuadër të fushatës zgjedhore u takua me pjesëtarët e kuadrit arsimor në komunën e Tearcës.
Arsimin dhe punëtorët e arsimit Ahmeti i cilësoi si shtyllën më kryesore të kombit. Sipas Ahmetit, nëse ka institucione tërësisht të pavarura në vend, ato janë universitetet dhe Bashkësia e Komunitetit Islam, për të cilat, siç tha ai, edhe kemi luftuar dhe sakrifikuar, ndërsa ajo për të cilën duhet angazhuar në të ardhmen, sipas Ahmetit, është rritja e cilësisë nëpër këto institucione arsimore.
Ai gjithashtu tha se për të pasur cilësi nevojitet edhe standard jetësor. Në këtë drejtim, Ahmeti premtoi se me këmbëngulje do të angazhohet për të ngritur rrogat e të punësuarve në arsim prej 30 deri më 40%, ngjashëm si me të punësuarit në mjekësi, me qëllim që të parandalohet largimi i tyre nëpër vende të tjera për të kërkuar standard më të mirë jetësor. Ai tha se me ngritjen e standardin me të drejtë do të kërkohet edhe rritja e cilësisë nëpër këto institucione.
“Tani ne universitetet i kemi krijuar, janë zyrtarizuar universitetet, i kemi themeluar, universitetet janë shtuar, nga një universitet publik janë bërë dy universitete dhe një privat publik. Dhe tani duhet menduar thellë dhe reflektojmë se çfarë duhet të bëjmë me këto universitete, sigurisht se pa cilësi nuk ka arsim, të nxirren kuadro, sigurisht që në radhë të parë duhet të mendojmë se duhet të rrisim cilësinë, të rrisim përgjegjësitë, sepse këta janë institucione autonome të pavarura. Nëse ka institucione tërësisht të pavarura, janë universitetet dhe Bashkësia e Komunitetit Islam. Për të pasur arsim cilësor, duhet pasur edhe standard jetësor për ata që punojnë, për ata që kanë profesion, sepse ata nuk mund të bëjnë dy profesione të ndryshme, të bëjnë edhe punën e ndërtuesit edhe punën e mësuesit. Do të angazhohemi ashtu siç u angazhuam për të parandaluar të gjithë ata mjekë, të gjithë ata specialistë për të gjetur standard më të mirë në vendet e tjera, u rritën rrogat e tyre për 30-40%, ashtu do të insistojmë me këmbëngulje që rrogat e mësuesve, profesorëve, arsimtarëve të rriten me të njëjtën përqindje dhe me të drejtë të kërkojmë tani edhe cilësi edhe në arsim, duke filluar nga ai fillor deri te ai universitar”,– theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Takimi vazhdoi në formë interaktive, duke u përqendruar të pranishmit në sferën e arsimit. Ata kryesisht u interesuan për zvarritjen e riemërimit të dy shkollave në komunën e Çairit, për të cilat shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri, tha se procedura është ripërsëritur dhe se pritet që ajo të përfundojë, ndërsa ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, u zotua se nëse arrin deri te ai, një kërkesë të tillë ai do ta nënshkruajë.
Të pranishmit gjithashtu ngritën edhe çështjen e furnizimit me tekste shkollore, formën e testimit ekstern, gabimet nëpër tekstet shkollore dhe buxhetin dedikuar arsimit nëpër komuna. Lidhur me tekstet shkollore, ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, tha se ministria ka furnizuar të gjitha shkollat të cilat kanë shtruar kërkesë, ndërsa sa i përket testimit ekstern, Lutfiu tha se Ligji për testimin ekstern ka ndryshuar, sepse, sipas tij, nota nuk do të shënohet në dëftesë dhe me këtë ky testim nuk do të jetë stresues as për nxënësit dhe as për mësimdhënësit.
Veç arsimit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, para të pranishmëve foli edhe për situatën aktuale politike në vend. Ai tha se pavarësisht nëse duam ta pranojmë apo jo, vendi po përballet me një përplasje të fortë ideologjike, kulturore dhe të civilizimit. “Janë dy rrugë të cilat promovohen në politikat globale”, – tha Ahmeti, – “rruga euroatlantike dhe ajo euroaziatike. Si shqiptarë jemi të përcaktuar për rrugën euroatlantike, sepse historikisht, tradicionalisht ne i takojmë Evropës, ne i takojmë ideologjive evropiane”,– theksoi Ahmeti.
Ndërkohë, kandidatët për deputetë të BDI, në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore, sot në Librarinë e Çarshisë kanë realizuar edhe një takim me nxënës dhe studentë të Shkupit.
Gjatë një panel-diskutimi kandidati për deputet, Xhevat Ademi, tha se BDI do të angazhohet për formimin e një trupi mbikëqyrës, i cili do të kujdeset për zbatimin e gjuhës shqipe.
“Kjo trupë do të përcjellë të gjitha institucionet e vendit nëse do të zbatojnë normën ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe dhe eventualisht të ndëshkojë të gjithë ata që nuk do ta respektojnë ligjin”,- tha Ademi.
“Për të përjashtuar mundësinë e keqpërdorimit të gjuhës shqipe për të sanksionuar përdorimin e gjuhës zyrtare letrare në Republikën e Maqedonisë, krahas Ligjit special për shqipen zyrtare, BDI zotohet për sjelljen e një ligji për ndërtim të një mekanizmi mbrojtës të quajtur komision apo institut, i cili do të përcjellë, do të mbikëqyrë dhe eventualisht do të sanksionojë çdo devijim nga norma e shqipes letrare, tashmë nga norma e shqipes letrare tashmë të zyrtarizuar në Maqedoni. Do të përcillet përdorimi i shqipes në dokumente e materialeve të shkruara nga të gjitha institucionet publike zyrtare, përfshi edhe televizionet”,– theksoi kandidati për deputet në njësinë zgjedhore numër gjashtë, Xhevat Ademi.
Përdorimi i gjuhës shqipe është i përcaktuar me Kushtetutë, përkatësisht amendamenti pesë e rregullon këtë çështje dhe krahas gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë njeh e edhe gjuhën shqipe, dhe për këtë nuk kam dilemë, tha para të rinjve në diskutimin e tij Talat Xhaferi.
Sipas tij, kushtetuta përcakton kornizat e qëndrueshmërisë në afat kohor më të gjatë të legjislacionit dhe se më rrallë mund të vijnë në pah ndryshimet e saj, prandaj përcaktimet kushtetuese se gjuhë zyrtare është edhe gjuha që përfaqësohet në vend me mbi 20%, do të thotë se gjuha shqipe me automatizëm është gjuhë zyrtare, ndërsa ky përcaktim nuk kufizon përdorim zyrtar të gjuhës, të cilitdo qoftë komunitet që mund të jetë mbi 20% në Maqedoni, tha Xhaferi.