Zgjedhjet e 11 dhjetorit, 11 subjekte politike mbeten në garën zgjedhore



Gjithsej 11 subjekte politike, prej tyre pesë koalicione, do të masin forcat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.
Për shkak të parregullsive të shumta janë refuzuar listat nga Partia Social Demokrate e Maqedonisë, e kryesuar nga Branko Janevski, dhe Lëvizjes Popullore nga Janko Baçev.
Në diasporë do të mund të votojnë mbi 20 mijë votues në 41 përfaqësi konzullare të Maqedonisë në botë.
Do të votohet në qytetet më të mëdha europiane sikurse Bern, Romë, Vjenë, Budapest, Bukuresht, Hagë, Stokhollm, Londër, Berlin, Bon, Minhen, Bruksel, Pragë, Madrid, Otavë, Osllo, por edhe në qytetet amerikane dhe të Australisë: Detroit, Nju Jork, Çikago, Uashington dhe Toronto, Melburn e Kambera. Procesi i votimit do të realizohet edhe në Moskë, Abu Dabi, Doha, Pekin, Ankara e Stamboll si dhe në kryeqytetet e Ballkanit, në përjashtim të Athinës, ku janë paraqitur më pak se 10 votues. Për shkak të numrit të ulët të votuesve, nën 10, KShZ ka vendosur që edhe në tetë përfaqësi të tjera konsullare të mos realizohet votimi.
KShZ informoi për numrin e saktë të listave të kandidatëve të partive dhe koalicioneve për diasporën.
BDI në njësinë e shtatë zgjedhore propozoi Xhevdet Spahiun, koalicioni i VMRO-DPMNE-së propozoi Ramazan Miftaroski, ndërkaq koalicioni i LSDM-së, Bllazho Stojanov. Zëdhënësja e KShZ-së, Lupka Guguçevska, gjatë publikimit të numrit të votuesve të diasporës është shprehur se me mbi 20 mijë votues mund të fitohen maksimum tre deputetë.
“Duke pasur parasysh se për përzgjedhjen e deputetëve të diasporës shfrytëzohet modeli proporcional dhe varësisht nga ajo se votuesit për cilën listë do të votojnë, mund të sigurohen deri në tre maksimum poste deputetësh, d.m.th. çdonjëri prej bartësve të listave të ketë minimum 6 mijë 478 vota”,- tha zëdhënësja e KShZ-së, Lupka Guguçevska.
Ndërkaq, si pasojë e numrit të lartë të votuesve të paraqitur në Bern, mbi 4 mijë votues dhe në Venedik afër 3 mijë, KShZ ka vendosur që në Bern të hap edhe tre vendvotime, ndërkaq në Venedik dy. Sikurse është paraparë me ligj, KShZ deri më 16 nëntor do ta dërgojë listën zgjedhore deri tek partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje.