Ziadin Sela: Ç’lidhje ka Arben Fetai me Aleancën për Shqiptarët?

92
fresco

Në intervistën e tij në emisionin Debat me Fakte, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, reagoi ndaj deklaratave të bëra disa muaj më parë nga Arben Fetai në Kumanovë, i cili kishte pohuar se “Aleanca e vërtetë për Shqiptarët” është pjesë e koalicionit VLEN.
Sela i hodhi poshtë këto pretendime duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara, ndërsa theksoi se Aleanca për Shqiptarët është një subjekt që buron nga populli shqiptar dhe nuk mund të identifikohet si pjesë apo pronë e ndonjë koalicioni të caktuar.

“Unë nuk mund t’i ndjek deklaratat sa herë që ndryshohen pozicionet politike. Aleanca e vërtetë për Shqiptarët gjendet tek vetë shqiptarët. Ajo nuk është pronë e VLEN-it, nuk është këtu apo atje sipas nevojës së dikujt,” deklaroi Sela.
Duke iu referuar konkretisht Arben Fetait, Sela u shpreh qartë: “Çfarë lidhje ka Arben Fetai me Aleancën për Shqiptarët? Nuk e kuptoj. Ai është një person që erdhi në pushtet falë Arben Taravarit, sepse për aq kohë sa kam qenë unë në drejtim, ai qëndronte diku tek dera – pa ndonjë rol të rëndësishëm.”

Më tej, Sela vuri në dyshim edhe të kaluarën politike të Fetait, duke thënë se kishte informacione të cilat e bënin të ishte i rezervuar ndaj tij.
“Unë e njoh të kaluarën e tij, e cila ka qenë e dyshimtë, përfshirë edhe zhvillimet brenda Vetëvendosjes. Njerëzit me të kaluar të tillë i trajtoj me kujdes dhe i mbaj në distancë,” tha ai.
Sipas Selës, është e pakuptimtë dhe pa logjikë që dikush si Arben Fetai të pretendojë se është themelues apo përfaqësues i vërtetë i Aleancës për Shqiptarët.
“Nuk shkon emri dhe historia e Aleancës për Shqiptarët me të kaluarën politike të personit që ju apostrofuat. Aleanca nuk është një etiketë që mund ta përdorë kushdo për qëllime personale apo politike,” përfundoi Sela.

Comments