Ziadin Sela në “Debat me Fakte”: Bota Serbe, rrezik për orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut

Gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin Debat me Fakte, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, foli edhe për ndikimin e ashtuquajturës Botë Serbe në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, një temë që, sipas tij, ka dominuar debatin politik shqiptar në këto zgjedhje lokale.
Sela theksoi se subjekti i tij politik ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për rrezikun që, sipas tij, i kanoset popullit shqiptar dhe vetë shtetit të Maqedonisë së Veriut nga orientimi drejt lindjes dhe strukturave që nuk i duan të mirën as shqiptarëve, as maqedonasve.
“Kemi paralajmëruar për rrezikun e një orientimi të shtetit drejt lindjes, në drejtim të elementeve që nuk ua duan të mirën shqiptarëve dhe as vetë maqedonasve. Ka tendenca që Maqedonia e Veriut të futet në hartën e vendeve ku mund të nxisen konflikte për interesa të palëve të treta, që synojnë të përfitojnë pozita më të favorshme negociuese në Ukrainë apo gjetkë,” deklaroi Sela.
Ai shtoi se paralajmërimet për ndikimin në rritje të Botës Serbe nuk janë më vetëm qëndrime të partisë së tij, por tashmë përbëjnë edhe shqetësim zyrtar të institucioneve ndërkombëtare.
“Për hir të së vërtetës, nuk jemi vetëm ne që flasim për rrezikun e orientimit të Maqedonisë së Veriut drejt Botës Serbe. Këtë sot e thotë edhe Parlamenti Evropian. Ai ka shprehur shqetësimin se Maqedonia e Veriut çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e Botës Serbe dhe e ndikimit të saj,” theksoi Sela.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur raportet ndërkombëtare kanë evidentuar rritjen e ndikimit rus dhe serb në rajon, çka ka ringjallur debatet mbi orientimin strategjik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.