Ziadin Sela në “Debat me Fakte”: Donacioni serb për Komunën e Tetovës, një çështje që kërkon sqarim publik

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, gjatë intervistës së tij në emisionin Debat me Fakte, ka ngritur një sërë pyetjesh dhe dyshimesh rreth një donacioni prej 800 mijë eurosh nga një subjekt serb për Komunën e Tetovës. Ai ka kërkuar transparencë të plotë dhe sqarime nga autoritetet lokale mbi origjinën dhe qëllimin e këtij donacioni.
“Çka e shtyn një investitor apo subjekt serb t’i bëjë donacion Komunës së Tetovës? Pse kjo ndodh nga një shtet që vazhdimisht i pengon shqiptarët – qoftë në stadium, në përdorimin e gjuhës apo gjatë kalimit nëpër territorin e Serbisë?”, u shpreh Sela, duke ngritur dyshime të mëdha për qëllimet pas këtij akti.
Ai theksoi se Komuna e Tetovës, si një komunë me shumicë shqiptare, duhet të jetë veçanërisht e kujdesshme kur bëhet fjalë për donacione që vijnë nga shtete që, sipas tij, historikisht kanë qenë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve.
Në vijim të deklaratës, Sela tha se nga informacionet që ai posedon, donacioni është bërë nga një kompani e regjistruar disa vite më parë, pa ndonjë qarkullim të madh financiar. Kjo, sipas tij, ngre edhe më shumë pikëpyetje për burimin real të fondeve.
“Tani lind pyetja: Kush po i dhuron këto para? A është qeveria e Serbisë? Apo eksponentë brenda saj, të cilët në të kaluarën kanë qenë të përfshirë në destabilizimin e rajonit? Unë nuk kam informata të plota për këtë pjesë, por mungesa e transparencës më jep të drejtën që të dyshoj dhe të kërkoj përgjigje publike,” theksoi ai.
Duke e krahasuar këtë situatë me përvojën e tij si ish-kryetar komune, Sela tha se asnjëherë nuk kishte pasur donacione të ngjashme nga shtete si Serbia apo struktura që lidhen me të ashtuquajturën Botë Serbe.
“Vet fakti që një donacion i tillë vjen nga një vend i tillë, i jep vërtetësi asaj që ne kemi paralajmëruar vazhdimisht – se Maqedonia e Veriut, çdo ditë e më shumë, po zhy tet në ndikimin e Botës Serbe. Dhe ne, si shqiptarë, nuk guxojmë ta tolerojmë këtë,” përfundoi Sela./faktiditor.info/