Ziadin Sela në “Debat me Fakte”: Nuk kam hequr dorë nga Aleanca për Shqiptarët – Lidhja Shqiptare është një emër i bukur, por nuk jam kryetar i saj

Deklaratat e fundit në opinionin publik dhe në media lidhur me krijimin e një partie të re me emrin Lidhja Shqiptare, e përfolur si nismë e Ziadin Selës, kanë shkaktuar reagime të shumta dhe jo pak konfuzion në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në emisionin Debat me Fakte, Ziadin Sela vendosi të sqarojë publikisht pozicionin e tij, duke mohuar çdo përfshirje formale në krijimin e kësaj nisme të re politike.
“Lidhja Shqiptare është një emër shumë i bukur dhe domethënës për historinë dhe identitetin tonë politik, por unë nuk jam kryetar i asaj partie, dhe as nuk kam hequr dorë nga Aleanca për Shqiptarët,” deklaroi Sela.
Ai theksoi se Aleanca për Shqiptarët është një projekt politik të cilin e ka krijuar vetë me shumë përkushtim, mund dhe sakrificë, së bashku me bashkëpunëtorët dhe qytetarët që kanë besuar në atë platformë politike.
“E kam ndërtuar Aleancën për Shqiptarët me shumë mund, dhe çmimin më të lartë për të e kam paguar unë personalisht. Këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Unë nuk heq dorë nga Aleanca dhe mbetem i përkushtuar ndaj misionit të saj politik,” u shpreh ai.
Deklarata e Selës vjen si përgjigje ndaj zërave që po qarkullojnë në opinion dhe synon të shuajë dilemat për një tërheqje të mundshme të tij nga subjekti që e ka përfaqësuar për vite me radhë në jetën politike të vendit./Faktiditor.info/