Zonja Makbeth: 29 vjet kundër UÇK-së

148
fresco

Në letërnjoftim e dokumente zyrtare, Donika Gërvalla-Schwarz ka vetëm 53 vjet. Por mbi supe të saj janë plot 29 vite fiksimi e paranoje ndaj kujtdo që ka qenë në hierarkinë drejtuese të UÇK-së, ose që ka spikatur në radhët e saj. Tash së mbrami, siç mërmërisin burimet e brendshme e besnike nga Vetëvendosja, ajo i ka bërë hundë-e-buzë bashkë pse Albin Kurti ka nisur flirt me Fatmir Limajn. Ajo madje i është ngërmuar atij, thonë zëulët po këto burime. Donika Gërvalla-Schwarz ka lënë nam herë duke i quajtur ushtarët e UÇPMB-së dhe UÇK-së si ‘barbarë’, e herë duke i munxosur krerët e saj si kriminelë primitivë. Më 2005, kur Ramush Haradinaj e filloi sfidën e tij përballë Tribunalit të Hagës, vetëm aktivistja e LDK-së, nëpër radio e mediume gjermane, i vërsulej atij pas shpine me gjuhë pejorative.

Col MEHMETI

24 korrik 2025
 – Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz del të jetë dikush në prag të fiksimeve psikotike kundër secilit prijës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Statuset e ish-kryediplomates në Facebook, të varfëra nga shqipja, por të pasura nga urrejtja për krahun e luftës, janë e keqja më e vogël.

Në vitet e para të pasluftës, Gërvalla-Schwarz ngarendte në secilin medium gjerman që ia hapte deriçkën për të zbrazur vrerin e barkut – diplomacia e vetme e saj në botën gjermanishtfolëse ishte zezimi i UÇK-së.

Më 2001 në revistën gjermane “OST-WEST. Europäische Perspektive”, ish-aktivistja e LDK-së e përshkroi UÇK-në me imazhin e njerëzve ekstremistë të dhunshëm, provokatorë e zullumqarë ndaj pakicave.

“Diese Barbaren” (Këta barbarë…) shfryente ajo në gjermanisht kundër UÇPMB-së në Luginë dhe UÇK-së në Maqedoni, që fajësoheshin se po përhapnin provokime të dhunshme në rajon.

Artikulli i saj namkeq “Wohin gehört Kosova?”, fragmente të së cilit NACIONALE i botoi para pak muajsh, ishte vetëm njëri që u dokumentua.

Turpi në Deutschlandfunk

Plot paraqitje të saj mediatike nuk u dokumentuan në të shkruar. Megjithatë, një intervistë e saj e dhënë për radion gjermane Deutschlandfunk, më 14 mars 2005, qe transkriptuar e tëra si tekst.

Në bashkëbisedimin e saj me gazetarin Hans-Joachim Wiese, Gërvalla, asokohe 34-vjeçare, nuk kishte folur gjë tjetër përpos për Ramush Haradinajn, i cili sapo ishte deklaruar i pafajshëm në rragatjen e tij të gjatë me Tribunalin e Hagës.

“Haradinaj ist kein Held der Albaner” (Haradinaj nuk është hero i shqiptarëve), ngutej të thoshte pa i lënë radhë gazetarit as për të bërë pyetje.

Herr Wiese, domethënë zotëria i emisionit, së pari e pyet mysafiren e tij nëse Haradinaj është vërtet i fajshëm.

“Çështja nëse Haradinaj është i fajshëm ose jo është punë për gjykatën. Nuk e gjykoj dot. Sidoqoftë, ajo që është e rëndësishme për mua është se Haradinaj nuk është hero për shqiptarët në Kosovë”, përgjigjet Gërvalla.

Si një gazetar me përvojë, herr Wiese patjetër se do ta shtrojë një “Warum?” (Pse), dhe bashkëfolësja e tij i përgjigjet kështu:

“E njoh gjendjen në ato anë fort mirë, vij nga i njëjti vend, me fjalë të tjera, jam fqinje me zotin Haradinaj. Plot njerëz kanë të njëjtat mendime e përvoja me të”, i përgjigjet zëdhënësja e LDK-së.

Inat me Petersenin pse e quajti mik Haradinajn

Kur i zoti i shpisë, domethënë herr Wiese, i kundërvihet Gërvallës duke i thënë se Haradinaj mbështetet nga Perëndimi, mysafirja kërcen si nëpërka në prush.

Sipas rradakes së saj, të paktën siç na jepet mbresa nga përgjigjja e saj në gjermanisht, ishte e gabuar që BE-ja, qeveria gjermane dhe bashkësia ndërkombëtare po i jepnin reputacion të lartë “këtyre politikanëve”.

Bile, Gërvalla kishte zënë inat edhe shefin e asokohshëm danez të UNMIK-ut, Søren Jessen-Petersen, kur ky e kishte quajtur mik Haradinajn.

“Kreu i UNMIK-ut, kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë, zoti Petersen, e ka skualifikuar plotësisht veten duke e quajtur mik këtë njeri që është një i dyshuar për krime lufte”.

Dhe nuk mjaftohej me kaq e vazhdonte me një batare pyetje-përgjigjesh:

“Çfarë do të thoshte dikush në Gjermani po qe se e njejta gjë të kishte ngjarë në Gjermani disa dekada më parë? Nëse pala ndërkombëtare do ta cilësonte si mik një kriminel të dyshuar lufte? Mendoj se ky lloj kompromisi dëmton edhe forcat demokratike”.

“Gewöhnlichen und primitiven Kriminellen”

Gazetari gjerman, gjithnjë siç del nga teksti, duket vërtet i habitur nga pasioni i Gërvallës kundër Haradinajt.

Prandaj, ai e pyet krejt qetë se përse Haradinaj u bë kryeministër, madje në koalicion pikërisht me partinë e Gërvallës.

Është pikërisht ky çast kur para mikrofonit në studio e bija e Jusuf Gërvallës e quan Haradinajn “kriminel i rëndomtë e primitiv” (gewöhnlichen und primitiven Kriminellen) – madje nuk ngurron as t’i lëshojë ‘kunja’ edhe vetë Ibrahim Rugovës.

“As nëntë për qind të kosovarëve nuk kanë votuar për Haradinajn, sepse shumë njerëz e quajnë atë si kriminel të rëndomtë e primitiv që përdor trysni e dhunë, madje në një mënyrë fort jodemokratike, për të punuar kundër qëndrimit të shumicës së bashkëatdhetarëve të tij. Por Haradinaj erdhi në këtë pozicion përmes një loje të thjeshtë pushteti. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ish-kryetari i partisë sime, e solli atë në tavolinë për t’u rizgjedhur si president. E quaj këtë si tepër të pandershme e të papërgjegjshme, por kjo nuk e bën hero Haradinajn”.

Duket se gazetari gjerman nuk po i besonte ato që po i dëgjonte në anën tjetër të mikrofonit, dhe për këtë arsye sikur i kundërpërgjigjet duke thënë se Haradinaj vetë vullnetarisht shkoi te Tribunali në Hagë.

“Spricht das in irgendeiner Weise nicht auch für ihn?” (A nuk flet kjo në njëfarë mënyre në të mirë të tij?), e pyet gjithë mirësjellje.

Këtu, Gërvalla sikur ndalet një copëherë.

“Po, por Kosova është një vend i qeverisur prej bashkësisë ndërkombëtare me një prani të fortë të NATO-s”, përgjigjet ajo, “dhe kjo është mirë boll; e ndihmon Kosovën që ai u vetëdorëzua. Por nuk ka pasur shumë alternativa”.

“Nuk i dua nacionalistët”

Biseda po rridhte minutë pas minute duke iu avitur fundit dhe herr Wiese e pyet Gërvallën se ç’parashikon për të ardhmen e vendit.

Ah, kjo seç është një mundësi e mirë për të marrë trrap-trrap një pozë morale, dhe ajo nuk ia huq:

“Kosovo braucht Demokratie und Kosovo braucht Demokratie wie die Luft zum Atmen” (Kosova ka nevojë për demokraci, dhe Kosova ka nevojë për demokraci si për ajrin që e merr”.

Por nuk e ka hallin këtu sepse aktivistja e LDK-së i shikon me sy të vëngër ata që i quan nacionalistë.

“Në çdo rast, nacionalistët dhe figurat e dëshmuara mujshare si Haradinaj dhe Thaçi nuk janë e ardhmja, por një hap në të kaluarën”.

Njëherë anti-UÇK, gjithmonë anti-UÇK

E votuar së fundmi nga 113,239 qytetarë të Republikës së Kosovës – duke qenë e treta në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje – Gërvalla-Schwarz ka qenë për katër vite me radhë ministrja që diplomacinë e Kosovës e ktheu në një zero me xhufkë.

Krejt kjo ngjau në rrethanat e izolimit të plotë dhe sanksioneve të dyfishta nga Washingtoni dhe Brukseli.

Me afrimitetin e saj gjithnjë e më të madh me ish-kryeministrin Albin Kurti, në kurriz të braktisjes së kryepartiakes së saj Vjosa Osmani, ajo prodhoi një kundërdiplomaci për Kosovën, sidomos me qëndrimet e saj konsekuente kundër UÇK-së dhe krerëve të luftës.

Dikur ajo kishte shpallur me grimasa krenarie se po depozitonte materiale në Speciale kundër Thaçit e Veselit – madje, kjo ishte shfrytëzuar edhe nga vetë ish-ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.

“Ju keni ndihmuar të akuzohet Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për krime me dëshmitë që keni mbledhur nga familjarët e viktimave, pra juve ju kanë dalë në ndihmë viktimat e krimeve të kryera nga ana e Thaçit dhe Veselit”, kishte thënë kryediplomati serb. /Nacionale/

Comments