Kushtrim.H. 28 vjeçar nga Kosova është dënuar me pesë vite burg dhe do të dëbohet nga Gjermania, pasi shkaktoi një aksident fatal gjatë një gare ilegale me makina.
Sipas gazetës gjermane Bild, ngjarja ndodhi në vitin 2019 në qytetin e Moers-it, ku i riu po lëvizte me shpejtësi të frikshme prej 167 km/h brenda zonës urbane dhe në korsinë e kundërt. Në këto rrethana ai u përplas me një automjet tjetër, duke i marrë jetën një gruaje 43-vjeçare, nënë e dy fëmijëve.
Pas procesit gjyqësor, ai u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia në rrethana të rënda dhe u dënua me pesë vite burg, të cilat aktualisht po i vuan.
Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë vendosur edhe dëbimin e tij nga vendi. Më 27 mars 2026, Gjykata Administrative në Dyseldorf rrëzoi padinë e tij kundër këtij vendimi, duke i dhënë të drejtë autoriteteve të Duisburgut.
Sipas gjykatës, sjellja e tij tejet e rrezikshme dhe pasojat tragjike të aksidentit krijojnë një interes të fortë publik për largimin e tij nga Gjermania. Po ashtu, u vlerësua se ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, për shkak të mungesës së reflektimit të plotë mbi krimin.
Gjykata theksoi se vendimi ka edhe efekt parandalues për raste të ngjashme në të ardhmen. Edhe pse i dënuari ka lindur në Gjermani dhe ka lidhje familjare atje, këto nuk u konsideruan të mjaftueshme për të penguar dëbimin.
Sipas vendimit, ai pritet të riintegrohet në Kosovë, pavarësisht se deri më tani ka qëndruar atje vetëm për pushime.
Vendimi ende nuk është përfundimtar. I dënuari mund të kërkojë apelim në Gjykatën e Lartë Administrative të landit Nordrhein-Westfalen.

