LDK i quan të papranueshme dy ndalesat e Serbisë, kërkon reagim nga BE

527

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Advdullah Hoti i ka quajtur të papranueshme dy ndalesat që autoritetet serbe së fundi i kanë bërë Kosovës; atë të karateistëve kosovarë, si dhe ndalesën e deputetes së kësaj partie, Vjosa Osmani për të qenë pjesë e një konference në parlamentin serb.

“E papranueshme ndalesa e sportistëve kosovarë nga Serbia për të marrë pjesë në gara. E papranueshme ndalesa e deputetes Vjosa Osmani për të marrë pjesë në takimin e Komisioneve për Integrim Evropian të vendeve të Ballkanit. Bashkimi Evropian duhet të reagojë për këtë. Në ditën e Evropës kur duhet të promovojmë lëvizje të lirë, fqinjësi të mirë dhe vullnet për të zgjidhur çështjet me dialog, Serbia po dëshmon se ka mbetur prapa në politikën e izolimit dhe konfliktit”, ka shkruar Hoti.

Kujtojmë se deputetët e Kosovës, Vjosa Osmani, LDK, Ilir Deda, Alternativa, si dhe Blerta Deliu-Kodra-PDK, kanë pranuar nga një letër nga Kuvendi i Serbisë, për t’u njoftuar lidhur me anulimin e pjesëmarrjes së tyre në konferencën “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit” të paraparë të mbahet me 11-12 maj në Beograd.

Sipas Hotit, sjellja e tillë e Serbisë dëshmon se dialogu i deritashëm ka qenë i kotë.

“Na duhet format i ri i dialogut, por me përfaqësues politik që kanë legjitimitet qytetarë dhe kredibilitet. Duhet një dialog që adreson temën bosht të njohjes reciproke. Koncenzusi politik në Kosovë është i domosdoshëm për tu përballur me politikën serbe në këtë dialog. Prandaj, na duhen institucione legjitime që mbrojnë pa asnjë kompromis interesin shtetëror të Kosovës në dialog”, ka vazhduar deputeti Hoti.

“Politikanët që kanë koketuar me elemente kriminale në veri të vendit për të siguruar numrat për qeverinë që tash është jo legjitime, nuk i kanë kredencialet e nevojshme për të mbrojtur interesat e shtetit të Kosovës në këtë proces jetik për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se LDK-ja është e gatshme të marrë përsipër krijimin e këtij koncensusi, që sipas tij, duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë e Kosovës, akademinë, shoqërinë civile, komunitetet, dhe spektrin politik.

Comments