Titujt e këngëve, ‘stretegjia’ e artistëve shqiptarë për t’u dëgjuar edhe në tregun ndëkombëtar!
Artistët shqiptarë përveç këngëve solo, kanë preferuar shumë edhe duetet, shkruan lajmi.net.
Por, ajo që të bie në sy tek pothuajse çdo këngë dhe që në një mënyrë e identifikon njërën këngë prej tjetrës, është titulli që i vendosin këngëtarët. Në shumë projekte të publikuara gjatë këtij viti, këngëtarët kanë preferuar që këngëve t’u vendosin tituj në gjuhë të huaj.
Shumë prej këtyre projekteve janë me tituj në gjuhën angleze, por nuk përjashtohet edhe gjuha turke, italiane e deri tek ajo arabe.
Në një aspekt, këngëtarët tanë duket se po e përdorin këtë si strategji për të arritur deri tek fansat jashtë trojeve shqiptare, e në këtë mënyrë edhe depërtimi në tregun ndërkombëtar.
Nëse një i huaj kërkon në kanalin YouTube fjalën që është e njëjtë me titullin e një kënge nga një artist shqiptarë, atëherë ka gjasa që menjëherë t’i dalë videoja e tij/saj.
Kështu edhe arrihet dalëngadalë në industrinë e muzikës botërore, të cilën çdonjëri e ka ëndërr.
Lajmi.net ka përmbledhur një listë të artistëve shqiptarë, të cilët në projektet që sollën gjatë vitit 2018 kanë përdorur titujt në gjuhë të huaja.
Ledri Vula
Ledri Vula ka qenë njëri prej artistëve më aktiv të kësaj sezone. Ai ka publikuar disa projekte radhazi, e njëri prej tyre që doli të jetë shumë i suksesshëm është dueti me titull “Princess Diana”, në duet me Lyrical Son. Kënga ka marrë plot 25 milionë klikime. Edhe këtë herë, mund të jetë menduar që “Princess Diana” të jetë si strategji për të fituar publik të huaj.
Noizy
Reperi Noizy shumë prej projekteve muzikore i ka me tituj në gjuhë të huaj. “Peace & Love” është kënga e fundit e reperit që u publikua në fillim të këtij muaji dhe u klikua mbi 3 milionë herë. Ndërsa, para saj ai lansoi këngën “Toto”, në duet me Raf Camorën.
Enca
Enca Haxhia është artistja që ashtu sikurse Noizy, preferon shumë titujt në gjuhë të huaja. Kësaj radhe, ajo ka përdorur titullin në gjuhën franceze në projektin e fundit “Rendez Vous”, këngë kjo e publikuar dy ditë më parë, shoqëruar edhe me videoklip. Edhe kësaj radhe është përdorur ‘taktika’ e njëjtë për të arritur tek publiku jashtë trojeve shqiptare.
Fifi
Këngëtarja ka publikuar së fundi këngën me titull “Habibi”, në duet me Lamar. Projekti ka marrë mbi gjysmë milioni klikime, kurse ndryshe prej të tjerëve ashtu siç shihet përdori gjuhën arabe. Andaj, shumë thjesht një kërkim me fjalën “Habibi” mund të dalë edhe kënga e artistes shqiptare.
Genta
Genta Ismajli në fillim të këtij muaji publikoi projektin me titull “Papi”, këngë kjo me titull në gjuhë të huaj. Ashtu si shumë prej artistëve të njohur, duket se edhe Genta do dëshironte depërtimin në tregun e huaj. Kënga ka marrë mbi 2 milionë klikime.
Mozzik
Mozzik është shumë aktiv me projekte të reja muzikore, të cilat priten shumë mirë në publik. Projekti “Ti Amo”, në duet me reperin Veysel është pritur shumë mirë në publik. Kënga me titull në gjuhë italiane, ka marrë mbi 36 milionë klikime në YouTube. Ndërsa, “Madam”, e publikuar katër muaj më parë kishte sukses të ngjashëm, ajo mori 16 milionë shikime.
Butrint Imeri
Butrint Imeri është njëri prej artistëve që në shumë prej projekteve të tij ka preferuar që këngëve t’ua vendos titujt në gjuhë të huaja. Nëse marrim vetmë projektet e realizuara gjatë këtij viti, një prej këngëve të tij që rezultoi shumë e suksesshme është “Ma Chérie”, e cila mori afro 23 milionë klikime në YouTube, këngë me titull në gjuhën franceze, e cila është dëgjuar edhe nga audienca e huaj, reagimet e të cilëve janë parë në komente dhe video në internet.
Tayna
Tayna është repere e re në tregun shqiptar, por që po tregohet shumë e suksesshme që në hapat e parë. Dy këngët e Taynas “Columbiana” në duet me Don Phenom dhe “Fake”, janë me tituj në gjuhën angleze. Nëse kërkon një i huaj me këta dy tituj në kanalin YouTube, atëherë mund të dalin këto këngë të Taynës dhe lehtë fama e saj mund të kalojë kufijtë.
Fero
Edhe Fero ka dy projekte me tituj në gjuhë të huaj. Njëri është “Gang Gang”, i publikuar gjysmë viti më parë dhe “Mamacita”, në duet me Sparksin, këngë që u lansua tre muaj më parë. Projekti “Mamacita” ka 6 milionë klikime, ndërsa “Gang Gang”, 13 milionë. Edhe për këto dy projekte vlenë ajo që nëse kërkon me këto fjalë në YouTube, mund të gjendet kjo këngë.
Bes Kallaku
Bes Kallaku dhe Irkenc Hyka kanë publikuar një muaj më parë këngën “Makarena”. Projekti ka marr mbi 6 milionë klikime. Besi dy muaj më parë solli “Bella Ciao”, në duet me Gent Fatalin, për dallim prej shumicës së artisëve, këtë herë dyshja zgjodhën titullin në gjuhën italiane. Madje, ishte vetë Genti ai i cili në një intervistë për “Mirage”, tregoi për reagimet e italianëve, të cilët e kanë marrë këngën si ofendim kundër tyre. Kjo është një shenjë që tregon se titulli i këngës ka bërë që ajo të arrijë në veshin e italianëve.
Capital T
Reperi Capital T ka qenë shumë aktiv gjatë këtij viti, ai solli një bashkëpunim me Cliqme dhe Koach2.0 me titull “Across the world” e publikuar në mars të këtij viti. Bashkëpunimi me reperët e huaj rezultoi i suksesshëm, ndërsa kënga arriti të dëgjohet edhe jashtë trojeve shqiptare, e një arsye përveç reperëve të huaj ishte edhe titulli i këngës që tërhoqi dëgjuesit.
Dueti tjetër i Capital T me reperin Granit Dërguti në fillim të muajit maj kishte titullin “Take a shot” dhe mori mbi 1 milion klikime. Ashtu siç shihet, edhe kësaj radhe ai zgjodhi që kënga të ketë titullin në gjuhën angleze, shkruan lajmi.net.
Stresi
Së fundi ka publikuar këngën “GunShot” në duet me reperin Anestezioni. Titulli është në gjuhën angleze, shumë lehtë i arritur tek publiku i huaj.
Trim Jetullahu
Në muajin qershor, Trimi lansoi këngën me titull “Hava Hava”, e cila është versioni i ri i një kënge të huaj, por ai kishte preferuar që titulli të mos jetë në gjuhën shqipe, por në atë turke.
2po2
Dy muaj më parë, Besnik Canolli i njohur si 2po2, solli projektin me titull “Cartel”, edhe ky titull në gjuhë të huaj.
Lumi B
Një projekt që tingëllon se ishte nisur si shaka por që doli të jetë i suksesshëm është edhe ai “Power” nga Lumi B dhe Liki. Kënga mban titullin “Power”, që nënkuptohet se krahas titullit në gjuhën angleze ka edhe disa fjalë brenda tekstit në këtë këngë. Ajo mori mbi 3 milionë klikime.
Kresha
MC Kresha me këngën “Boulevard”, mori afro 2 milionë klikime. Kënga është me titull në gjuhë të huaj, ani pse në shqip e përdorim “Bulevard”, ai zgjodhi që ta përdorë atë në versionin origjinal “Bulevard”.
Tuna
Tuna është rikthyer pas shumë kohësh me këngën “Chonga”. Edhe kjo zgjodhi një titull interesant për ta tërhqur publikun.
Krahas këtyre projekteve, janë edhe shumë të tjerë të realizuar enkas për audencën e huaj, e këto këngë u bënë nga: Era Istrefi, Bleona Qereti, Azet, Ardian Bujupi, Elvana Gjata dhe Dafina Zeqiri.
Atëherë, nga shembujt e lartpërmendur nënkuptohet se artistët shqiptarë përdorin në masë të madhe titujt në gjuhë të huaja, më së shumti në gjuhën angleze, pasi që është edhe gjuhë zyrtare në shumë vende të botës. Në këtë mënyrë, këngëtarët tanë lehtë mund të kenë fat të depërtojnë në arenën ndërkombëtare apo vetëm të dëgjohen këngët e tyre nga publiku atje. /Lajmi.net/