Brazil-Argjentinë, dueli i përjetshëm. Bauza zbulon dyshen sulmuese
Më 11 nëntor në orën lokale 00:45 do të luhet ‘sfida e përjetshme’ pasi Brazili dhe Argjentina numërojnë së bashku 7 tituj botërorë.
Pritet të jetë një ndeshje shumë e rivalizuar për shkak se Argjentinës i duhet patjetër fitorja pasi momentalisht pozicionohet në vendin e gjashtë në grupin kualifikues të Kampionatit Botëror ‘Rusi 2018’.
Në prag të ndeshjes trajneri i Argjentinës, Edgardo Bauza ka zbuluar një pjesë të dilemave pasi reparti i sulmit do i besohet dyshes Messi-Higuain ndërsa Sergio Aguero do të qëndrojë në stol.
“Në sulm do të jenë Messi e Higuain. Do të jetë një ndeshje mjaft e luftuar në mesfushë. Pikërisht ky do të jetë edhe reparti që do të përcaktojë fituesin e sfidës. Messi dhe Neymar? Bëhet fjalë për dy yje të futbollit. Aktualisht Neymar nuk ka një pozicion fiks në fushë dhe për këtë arsye markimi do të jetë zonal. Ndaj tij do të ushtrojmë presion kur të ketë topin, por këtë do të bëjë edhe Brazili me Messin. Janë dy lojtarë që nuk mund të lihen të pambuluar pasi mund të të ndëshkojnë në cdo moment”, u shpreh ai.