Tre serbë dënohen për vrasjen e Enver Hadrit

Përmes një njoftimi, familja Hadri ka njoftuar se vrasësit serbë të ish-aktivistit Enver Hadri, janë shpallur fajtorë nga Gjykata Penale e Brukselit në Belgjikë.
“Ne, familja e Enver Hadrid, në cilësinë e palës civile në këtë dosje penale, kemi nderin dhe kënaqësinë të informojmë opinionin shqiptar se pas përpjekjes shumëvjeçare dhe me ndihmën e pakursyer të avokatëve tanë, sidomos të Zotit Christop Marehand, arritëm që vrasësit e burrit dhe babait tonë, Enver Hadri, të nxirren para drejtësisë dhe të shpallen fajtorë”, njofton familja Hadri.
Vrasësit e Enver Hadrit, Veselin Vukotiqin, Andrija Drashkoviqin dhe Bozhidar Spasiqin, pjesëtarë të nëntokës serbe në Bruksel por edhe zyrtarë të lartë të Sigurimit Shtetëror të ish – Jugosllavisë, UDB-së që kontrollohen nga Serbia.
Dy pjesëmarrës të tjerë të vrasjes së Hadrit, Andrija Llakoniq dhe Darko Ashanin janë vrarë në Serbi.
Familja e Enver Hadrit janë shprehur optimist se Serbia do të duhet t’ia dorëzojë vrasësit e Enver Hadrit, shtetit të Belgjikës.
“Ne jemi të sigurt se në negociatat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia do të detyrohet t’ua dorëzojë argatët e saj vrasës organeve belge të drejtësisë për ta vuajtur dënimin e merituar”, kanë thënë ata.
Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet gjatë ditëve në vijim, përmes një seance tjetër.