Reja para Islandës: Lojtarët e dinë filozofinë time, besoj për rezultat pozitiv!

583

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja ka folur para përballjes ndaj Islandës e vlefshme për eliminatoret e Euro 2020.

Në një deklaratë për mediat, tekniku italian ka besimin se do të marrë një rezultat pozitiv, ndërsa nënvizoi se lojtarët e njohin shumë mirë filozofinë e tij.

“Unë në fushë gjatë stërvitjes i kam shprehur lojtarëve filozofinë time të cilën e kanë kuptuar. 15 ditë nuk kanë mjaftuar, në fushë shpresoj të marrim një rezultat të mirë dhe do i jepte besim lojtarëve që filozofia funksionon dhe puna e tyre nuk ka shkuar dëm”, tha fillimisht ai.

Taktika? Unë pres nga ekipi të jetë i ekulibruar në fushë, të ketë ndjenjën e pjesëmarrjes në të gjitha repartet. Duam të jemi mirë dhe në sulm, dhe jo vetëm të mbrojmë. Të shkojmë në fushë dhe të shohim nëse do jete filozofia ime rezultative apo jo.

Gjithashtu Reja tha se ekziston projekti për të luajtur me dy sulmues, por ende nuk është e vendosur.

“Formacionin do ta mësoni nesër. Kam thënë se do të luaj me dy sulmues, ky është një projekt, por nuk është e thënë se do të luajmë patjetër me dy sulmues. Më shqetëson loja në ajër e Islandës, goditjet standarde, kroset nga këndi, që mund të na krijojnë probleme. Por kanë edhe cilësi të tjera, janë të shpejtë”, – tha trajneri Reja.

Ai ka folur për largimin e Grezdës ku në media është raportuar për një tension mes futbollistit dhe teknikut italian. Reja ka “thumbuar” në mënyrë të tërthortë Grezdën i cili sipas tij nuk është i pazëvendësueshëm.

Grezda? Nuk ka një çështje Grezda. Ai ka marrë një vendim të tillë dhe është një përgjegjësi e tij. Kemi pasur pikëpamje të ndryshme. Është në planet tona dhe do të diskutojmë për të ardhmen. Mbi të gjitha ai është shprehur dhe nuk besoj se mund te jem unë pjesë e këtij diskutimi dhe as Federata.

Më mirë të mendojmë ndeshjen, pasi është më e rëndësishme. Janë gjëra që shkojnë në plan të dytë, sepse rëndësi ka Kombëtarja. Ndoshta nuk më njihni dhe mund të ketë keqkuptime.

Unë pres të bëjmë një lojë të mirë dhe kjo është më e rëndësishmja. Diskutimi duhet të shtrihet në rang grupi. Janë të gjithë të vlefshëm dhe askush nuk është i pazëvendësueshëm.

Keni pasur kohë të njihni Islandën?

Të gjithë grupin e njoh mirë. Kanë një organizim të mirë në të gjithë fushën. Ata kanë Sigurdson që është një lojtar shumë i mirë dhe kyç si në teknike dhe në fizik. Ne do të shkojmë në fushë për të bërë ne lojën tonë, nëse do presim lojën e tyre do të bëhen shumë të rrezikshëm.

Krosimet dhe goditjet standarte do të krijojnë shumë probleme për ekipin tonë dhe unë i kam marrë masat.

Përballja ndërmjet Shqipërisë dhe Islandës do të luhet të shtunën në orën 15:00.

Comments