Vështrim mbi ekspozitën personale të artistit Hekuran Sokoli, e cila u hap dje në ‘Ulpiana Art Center’ (ish-bunkeri i Ulpianës) në Prishtinë.
Arti i pikselit
Ilir Muharremi, kritik i artit
Arti tejkalon të vërtetën, madhështia dhe fuqia e tij është si detyrë të arrijë në aspiratat më të thella të artistit, ta hulumtojëzonën e pahulumtueshme, të asaj që pushon brenda vetes, qëështë e thjeshtë dhe në kuptim është e lartë dhe e veçantë. “Arti nuk e riprodhon atë që shohim, përkundrazi, na bën të shohim”, thotë Paul Klee. Këtu Klee refuzon idenë klasike të artit si pasqyrë e realitetit dhe e vendos atë si një akt që e prodhon vetë perceptimin. Pra, arti nuk është një kopje e botës, por një mënyrë për ta hapur atë për ta bërë të dukshme atë që zakonisht mbetet e fshehur në përditshmëri. Çka është katrori për artin, ose a është katrori art? Arti si logjikë ndaj një forme të thjeshtë, por të bukur në esencë. “Katrori nuk është një formë e pavetëdijshme. Ai është krijim i arsyes intuitive”, thotë Kazimir Malevich. Një logjikë, një rregull i brendësisë, një përsosje dhe rezultat matematikor nga krijimi drejt shkencës, sepse arsyejadhe forca strehohen te sfera e shkencës. “Më pëlqen ende të besoj se katrori është një shpikje njerëzore”, pohon Josef Albers. Katrori nuk ekziston si i tillë jashtë mendjes, ai është rezultat i një akti rregullimi, abstragimi dhe idealizimi. Në këtë kuptim, katrori bëhet dëshmi e aftësisë njerëzore për të krijuar rend aty ku realiteti është i parregullt. Ai përfaqëson një dëshirë për qartësi, ekuilibër dhe kontroll, një formë që nuk pasqyron botën, por e riformulon atë sipas logjikës së mendimit. Prandaj, katrori nuk është thjesht figurë gjeometrike, ai është shenjë e ndërhyrjes së njeriut në realitet, një simbol i mënyrës se si ne ndërtojmë kuptim përtej asaj që është dhënë. Katrori në art nuk është thjesht figurë gjeometrike, por një formë e pastër që simbolizon rendin, ekuilibrin dhe ndërhyrjen e mendjes njerëzore mbi realitetin. Ai nuk gjendet në natyrë në mënyrë perfekte, prandaj përfaqëson një abstraksion, një mënyrë për ta riformuluar botën.Për Kazimir Malevichin, katrori ishte “pikë zero” e artit, një formë e çliruar nga çdo përfaqësim. Ndërsa për Josef Albersin, ai u bë mjet për të eksploruar perceptimin dhe marrëdhëniet e ngjyrave. Pra, katrori vetë nuk është art, por bëhet art kur përdoret me qëllim dhe kuptim. Në thjeshtësinë e tij, ai mbetet një nga format më të fuqishme për ta menduar artin.
“Dëshmitarët e pikseluar”, një titull domethënës që e krijon në ekspozitën e tij Hekuran Sokoli, me kuptim poetik e filozofik, një përballje me figura të fshehura prapa katrorëve, të fragmentuara në njësi digjitale gjatë punës së tij si gazetar, prodhon një tension të ndjeshëm mes të dukshmes dhe të padukshmes. Në ekran, dëshmitarët nuk shfaqen më si identitete të plota, por si struktura të përkohshme ngjyrash, si prani që lëvizin ndërmjet shfaqjes dhe zhdukjes. (frymëzuar nga ekranet televizive, prania e dëshmitareve me kokë të mbuluar, imazh katrori). Pikërisht në këtë hapësirë liminale lind impulsi për t’i përkthyer këto imazhe në gjuhën e pikturës. Këto konfigurime vizuale, të ndërtuara mbi ritme gjeometrike dhe ndërthurje kromatike, rezonojnë me disiplinën formale të Bauhaus-it, si dhe me ndjeshmërinë e pikturës së Paul Klee dhe teorinë e ngjyrës së Johannes Itten. Në këto punime, katrori nuk paraqitet më si një njësi neutrale formale, por si një pikë ndërmjetëse mes pranisë dhe mungesës. Struktura e rrjetit krijon një rend që në pamje të parë sugjeron racionalitet dhe kontroll, por brenda këtij rendi zhvillohet një lëvizje e heshtur e ngjyrave, një dridhje e brendshme që e prish çdo stabilitet të plotë. Kjo e bën sipërfaqen të duket si një fushë ku perceptimi nuk vendoset, por vazhdimisht negocion me atë që mund të shihet dhe atë që i shpëton shikimit. Ngjyra këtu nuk është thjesht cilësi optike, ajo funksionon si gjendje. Tonet e errëta tokësore bartin një peshë të heshtur, ndërsa ndërhyrjet më të ndritshme krijojnë çarje në këtë densitet. Në këtë tension, për Johannes Ittenin ngjyra nuk ishte vetëm fenomen fizik, por përvojë e brendshme dhe pikërisht në këtë nivel këto punime fillojnë të artikulohen si hapësira të ndjeshmërisë, jo vetëm të shikimit. Fragmenti, i përsëritur në mënyrë modulare, nuk e humb individualitetin e tij. Çdo katror mbetet një botë e vogël e mbyllur, por njëkohësisht i detyruar të ekzistojë në raport me të tjerët. Kjo marrëdhënie e brishtë ndërmjet pjesës dhe tërësisë evokon një logjikë që mund të lidhet me intuitën poetike të Paul Klee, ku forma nuk është përfundim, por proces, një gjendje në zhvillim të vazhdueshëm.
Megjithatë, ajo që u jep këtyre punimeve një dimension më të thellë është prania e një imazhi që nuk shfaqet plotësisht. Përtej rendit gjeometrik, perceptohet një figurë e mundshme, e shpërbërë, që refuzon të bëhet e qartë. Kjo e vendos veprën në një raport kritik me aspiratën e Kazimir Malevichit për një art të çliruar nga çdo referencë. Në vend të një “ndjenje të pastër”, këtu kemi një kujtesë të filtruar, një realitet që nuk zhduket, por mbetet si gjurmë brenda abstraksionit. Punimet e Hekuranit nuk janë as plotësisht abstrakte dhe as figurative, ato qëndrojnë në një zonë ndërmjet, ku imazhi është gjithmonë në prag të shfaqjes dhe zhdukjes. Pikseli shndërrohet në një njësi ontologjike, jo vetëm ndërtim vizual, por dëshmi e një pranie të ndërprerë. Dhe pikërisht në këtë ndërprerje, në këtë pamundësi për ta parë plotësisht, hapet një hapësirë reflektimi ku arti nuk paraqet, por sugjeron, nuk tregon, por lë të kuptohet.






