Arrestohen Vladimir Todoroviq dhe 10 bashkëpunëtorë për “Shkupi 2014”

40

Shkup – Ish-kryetari i Komunës Qendër, Vladimir Todoroviq, së bashku me 10 bashkëpunëtorë të tij, janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim parash, në lidhje me projektin kontrovers Shkupi 2014.
Sipas burimeve zyrtare, të dyshuarit e kanë kaluar natën në stacion policor, ndërsa gjatë ditës pritet të nxirren para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Penale në Shkup, në kuadër të Departamentit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.
Hetimi udhëhiqet nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, me prokurorin Lubomir Lape në krye të rastit. Autoritetet dyshojnë se përmes vendimeve dhe procedurave të kundërligjshme, është shkaktuar dëm i konsiderueshëm ndaj Buxhetit të shtetit.
Rasti lidhet me periudhën kur vendi udhëhiqej nga qeveria e Nikola Gruevski dhe partia VMRO-DPMNE, gjatë së cilës u realizua projekti “Shkupi 2014”, me vlerë të vlerësuar prej rreth 700 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të mëparshme hetimore, një pjesë e provave janë siguruar në Itali, ku janë prodhuar një numër i madh monumentesh të vendosura në kryeqytet. Hetimi për këtë rast ka rrënjë që nga periudha e ish-Prokurorisë Speciale Publike.
Autoritetet theksojnë se veprat penale që lidhen me dëmtimin e buxhetit të shtetit nuk parashkruhen lehtë, duke lënë hapësirë për ndjekje penale edhe pas një periudhe të gjatë kohore.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa publiku pret zbardhjen e plotë të një prej rasteve më të mëdha të dyshuara për korrupsion në vend.

Comments are closed.