Evropa përgatit plan nëse SHBA vepron ndaj Groenlandës

291

Vendet aleate evropiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, po punojnë ngushtë për një plan të përbashkët se si të reagojnë në rast se Shtetet e Bashkuara ndërmarrin hapa konkretë për të marrë kontrollin e Groenlandës, raporton Reuters.

Lëvizja vjen mes përpjekjeve të Evropës për t’u përballur me ambiciet e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump ndaj ishullit strategjik në Arktik.

Sipas raportimit, një ndërhyrje ushtarake amerikane për të marrë Groenlandën nga Danimarka, një aleate e vjetër e SHBA-ve dhe anëtare e NATO-s, do të shkaktonte tronditje të forta brenda aleancës dhe do të thellonte përçarjet mes Washington-it dhe kryeqyteteve evropiane.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha se çështja do të diskutohet në një takim me homologët e tij nga Gjermania dhe Polonia, duke theksuar se Evropa synon të veprojë në mënyrë të koordinuar.

“Ne duam të veprojmë, por ta bëjmë këtë së bashku me partnerët tanë evropianë”, deklaroi ai për radion France Inter.

Një burim nga qeveria gjermane konfirmoi për Reuters se Berlini po punon ngushtë me Danimarkën dhe vende të tjera evropiane për hapat e ardhshëm lidhur me Groenlandën.

Ndërkohë, udhëheqës nga fuqitë kryesore evropiane dhe Kanadaja janë rreshtuar publikisht në mbështetje të Groenlandës, duke theksuar se ishulli u përket banorëve të tij.

Donald Trump ka ripërsëritur ditët e fundit dëshirën për të marrë kontrollin e Groenlandës, një ide që e kishte hedhur për herë të parë në vitin 2019 gjatë mandatit të tij të parë.

Ai argumenton se ishulli është kyç për strategjinë ushtarake të SHBA-ve dhe ka akuzuar Danimarkën se nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur atë.

Shtëpia e Bardhë deklaroi të martën se Trump po shqyrton opsione për “përvetësimin” e Groenlandës, përfshirë edhe mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake, pavarësisht kundërshtimeve nga Evropa.

Megjithatë, Barrot tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka siguruar personalisht se një pushtim ushtarak është përjashtuar si opsion.

Comments are closed.