Reuters: Pse regjimi i mullahëve po vazhdon të qëndrojë pavarësisht protestave? Opsionet e Trump për ndërhyrje në Iran

96

Pavarësisht protestave masive që po tronditin Iranin, me mijëra të vrarë dhe me presionin ndërkombëtar që po rritet, deri tani nuk ka shenja të një përçarjeje të brendshme në bërthamën e fortë të pushtetit që do të mund të çonte në rrëzimin e një prej regjimeve më rezistente në botë.

Ky është përfundimi kryesor i një analize të Reuters, e cila përpiqet të shpjegojë pse Republika Islamike vazhdon të qëndrojë në këmbë, pavarësisht krizës së thellë politike dhe shoqërore.

Presioni ndaj udhëheqjes iraniane është shtuar edhe nga kërcënimet e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për veprime ushtarake, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme të protestave.

Në të njëjtën kohë, siç deklaroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për Reuters, “të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Megjithatë, diplomatët, burime qeveritare në Lindjen e Mesme dhe analistët vlerësojnë se pa dezertime në nivelet më të larta të aparatit shtetëror dhe veçanërisht brenda forcave të sigurisë, regjimi vështirë se mund të shembet.

“Që kjo të ndodhë, duhet të ketë masa njerëzish në rrugë për një periudhë shumë më të gjatë dhe një ndarje të vetë shtetit, me pjesë të forcave të sigurisë që ndryshojnë krah”, thekson Vali Nasr, akademik iraniano-amerikan dhe ekspert i politikës së jashtme amerikane.

Arkitektura e sigurisë së Iranit konsiderohet ndër më të thellat dhe më efektivet në botë. Garda Revolucionare dhe forcat paraushtarake Basij numërojnë së bashku gati një milion anëtarë, duke funksionuar si një rrjet shumë-shtresor kontrolli, parandalimi dhe represioni. Deri më sot, të gjitha kryengritjet e mëdha janë shtypur përmes arrestimeve masive, vrasjeve dhe frikësimit, një strategji që, sipas analistëve, mbështetet në “qeverisjen përmes frikës”.

Një zyrtar iranian i tha Reuters se rreth 2.000 persona janë vrarë gjatë protestave, duke ia atribuar humbjet “terroristëve”. Organizatat për të drejtat e njeriut flasin për të paktën 600 të vrarë, ndërsa organizata HRANA ka regjistruar 573 vdekje të konfirmuara dhe më shumë se 10.000 arrestime. Irani nuk ka publikuar ende një bilanc zyrtar.

Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, 86 vjeç, ka mbijetuar disa valë sfidash ndaj pushtetit të tij. Kjo është kryengritja e pestë e madhe që nga viti 2009, gjë që sipas Paul Salem nga Middle East Institute, tregon qëndrueshmëri dhe kohezion, pavarësisht një problemi të thellë dhe të pazgjidhur legjitimiteti.

Analistët theksojnë, megjithatë, se mbijetesa nuk është e barabartë me stabilitetin. Ekonomia vazhdon të jetë e mbytur nga sanksionet, pa një rrugëdalje të dukshme, ndërsa në aspektin gjeopolitik Irani ndodhet në një pozitë të pafavorshme: programi i tij bërthamor ka pësuar goditje të rënda dhe “Boshti i Rezistencës” është dobësuar nga humbjet e mëdha të aleatëve në Liban, Siri dhe Gaza.

Peshë të veçantë marrin ndërhyrjet publike të Donald Trump, i cili u ka bërë thirrje protestuesve të pushtojnë institucionet, ka deklaruar se “ndihma është rrugës” dhe ka kërcënuar me tarifa vendet që tregtojnë me Iranin, ndërsa Kina mbetet partneri kryesor tregtar i Teheranit. Paralelisht, sipas një burimi izraelit, në një bisedë telefonike mes Netanyahut dhe Marco Rubios është diskutuar mundësia e një ndërhyrjeje amerikane.

Në qarqet diplomatike po rikthehet i ashtuquajturi “modeli i Venezuelës”: largimi i majës së pushtetit, i shoqëruar me një mesazh ndaj aparatit shtetëror se mund të qëndrojë në vend, për sa kohë bashkëpunon. Megjithatë, zbatimi i një skenari të tillë në Iran konsiderohet jashtëzakonisht i rrezikshëm, pasi mund të çojë në përçarje etnike dhe fetare, veçanërisht në zonat kurde dhe sunite me histori rezistence.

Opsionet ushtarake ekzistojnë nga presioni mbi transportin detar të naftës iraniane deri te goditje të synuara apo sulme kibernetike, por të gjitha mbartin rrezik të lartë. Ndërhyrje të tjera, si rikthimi i aksesit në internet përmes Starlink për të lehtësuar komunikimin e protestuesve, mund t’i paraprijnë përdorimit të forcës.

Siç vëren David Makovsky nga Washington Institute, nëse Trump vendos të veprojë, ka gjasa të zgjedhë një veprim të shkurtër, me intensitet të lartë, në vend të një angazhimi ushtarak afatgjatë. “Ai kërkon një lëvizje që mund të ndryshojë lojën. Pyetja është se cila do të jetë ajo”, thekson ai.

Nëse kërcënimet janë thjesht mjet presioni, përpjekje për frenim apo paralajmërim për ndërhyrje, mbetet e paqartë. Për momentin, regjimi i Teheranit shfaqet i goditur, por jo në prag të kolapsit.

Comments