Takim kyç në Uashington, Machado kërkon mbështetjen e Trumpit për Venezuelën

106

Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, do të takohet të enjten me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e tij politike pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë.

Machado, fituese e Çmimit Nobel për Paqen për angazhimin e saj shumëvjeçar për demokracinë, i ka ofruar publikisht Trumpit ta ndajë çmimin me të, një gjest simbolik ndaj presidentit amerikan, i cili prej kohësh ka shprehur dëshirën për Nobelin.

Trump e ka quajtur një “nder” këtë ofertë, edhe pse Instituti Nobel ka sqaruar se çmimi nuk mund të transferohet ligjërisht.

Takimi vjen në një moment tensioni politik, pasi pas një operacioni amerikan që çoi në rrëzimin e Nicolás Maduro-s në fillim të janarit, Trump ka shprehur mbështetje për qeverinë e përkohshme të drejtuar nga zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, duke e lënë Machadon në plan të dytë.

Machado pritet të përdorë takimin për të bindur Trumpin se opozita duhet të marrë drejtimin e tranzicionit politik dhe se mbështetja për Rodríguez është një gabim. Ajo gëzon mbështetje të fortë mes kundërshtarëve të regjimit, pasi fitoi bindshëm primaret e opozitës dhe mobilizoi protesta masive kundër rizgjedhjes së kontestuar të Madurros.

Megjithatë, shoqëria venezueliane mbetet e ndarë. Disa shohin te Machado figurën e vetme që mund të rikthejë demokracinë, ndërsa të tjerë besojnë se një tranzicion i udhëhequr nga Rodríguez mund të shmangë destabilizimin dhe përplasjet me ushtrinë dhe grupet e armatosura pro-qeveritare.

Mbetet për t’u parë nëse takimi në Zyrën Ovale do të ndryshojë qëndrimin e Trumpit dhe balancat e pushtetit në Venezuelë.

Comments