Trump kërkon marrjen e Geoelandës, CNN publikon sondazhin: 75% e amerikanëve janë kundër

92

Shumica dërrmuese e amerikanëve kundërshtojnë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e Groelandës.

Sipas një sondazhi të ri të CNN, realizuar nga SSRS, 75% e qytetarëve amerikanë janë kundër kësaj ideje, ndërsa vetëm 25% e mbështesin.

Edhe brenda elektoratit republikan, qëndrimet janë të ndara. 50% e republikanëve dhe të pavarurve që anojnë nga republikanët janë pro, ndërsa 50% kundër. Ndërkohë, kundërshtimi është pothuajse total te demokratët: 94% janë kundër, prej të cilëve 80% shprehen fuqishëm kundër. Rreth 80% e të pavarurve neutralë gjithashtu e refuzojnë këtë ide.

Presidenti Donald Trump deklaroi së fundmi në rrjetin e tij social se “çdo gjë më pak se kontrolli amerikan mbi Groelandën është e papranueshme”, një qëndrim që nuk gjen mbështetje te opinioni publik dhe që nuk solli përparim as pas takimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe danezë në Shtëpinë e Bardhë.

Skepticizëm ndaj politikës së zgjerimit

Sondazhi tregon gjithashtu se amerikanët janë kritikë ndaj një politike më të gjerë ekspansioniste. Gati 60% mendojnë se Trump ka shkuar shumë larg në përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e SHBA-së mbi vende të tjera, ndërsa vetëm një e treta thonë se veprimet e tij kanë qenë të duhura.

55% e të anketuarve besojnë se presidenti ka tejkaluar përdorimin e ushtrisë, dhe 57% thonë se politika e jashtme e tij ka dëmtuar imazhin e SHBA-së në botë, një rritje krahasuar me vitin e kaluar.

Venezuela, opinione të ndara

Amerikanët janë më të ndarë për ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë: 52% janë kundër, ndërsa 48% pro. Megjithatë, 58% kundërshtojnë përpjekjet e SHBA-së për të kontrolluar qeverinë venezueliane pas rrëzimit të Nicolás Maduros.

Shumica nuk besojnë se veprimet amerikane do të sjellin stabilitet në Venezuelë brenda një viti dhe rreth dy të tretat mendojnë se ekziston rreziku i një pranie afatgjatë të trupave amerikane.

Sipas sondazhit, shumica e amerikanëve besojnë se nafta venezueliane dhe demonstrimi i fuqisë ushtarake kanë qenë faktorët kryesorë të ndërhyrjes, ndërsa vetëm 26% mendojnë se përmirësimi i jetës së qytetarëve venezuelianë ka qenë një arsye kryesore për veprimin e SHBA-së.

Comments