Izraeli po pret SHBA-në për të larë ‘hesapet’ me Iranin

133

Ndërsa Donald Trump po shqyrton mundësinë e goditjeve ushtarake kundër Iranit, një nga mbështetësit më të zëshëm dhe më të ashpër të rrëzimit të regjimit në Teheran ka qëndruar në heshtje të dukshme: Benjamin Netanyahu.

Përveç një deklarate të shkurtër këtë të diel, ku vlerësoi “guximin e qytetarëve iranianë”, kryeministri izraelit ka folur pak për protestat mbarëkombëtare dhe shtypjen e dhunshme që kanë tronditur Republikën Islamike javët e fundit.

Por pavarësisht formës që mund të marrë ndërhyrja e premtuar nga Trump, veprim ushtarak, bisedime nën kërcënimin e sulmeve, apo një kombinim sulmesh kibernetike dhe sanksionesh më të thella për të ringjallur protestat, një regjim iranian i dobësuar do ta anonte edhe më shumë balancën rajonale në favor të Izraelit.

Yaakov Amidror, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare dhe i afërt me Netanyahu-n, tha se Izraeli ka përfitim pavarësisht nëse Trump synon rrëzimin e regjimit apo një objektiv më të kufizuar.

“Nëse ai ndjek ndryshimin e regjimit, do të thotë se ata mendojnë si ne, se rënia e regjimit ia vlen edhe nëse sjell kaos,” tha Amidror, sot studiues në institutin Jinsa.

“Nëse në fund ai bën një marrëveshje dhe heq dorë nga plani për shkatërrimin e regjimit në këmbim të eliminimit të projekteve bërthamore dhe raketore të Iranit, edhe ky është një rezultat fantastik.”

Rruga deri aty pritet të jetë e vështirë. Izraeli tashmë po përgatitet të jetë ndër objektivat e çdo hakmarrjeje iraniane, ashtu si në Luftën e Parë të Gjirit me 1991, kur Saddam Hussein godiste Tel Avivin ndërsa SHBA bombardonte Bagdadin.

Megjithatë, në rivalitetin afatgjatë mes Republikës Islamike dhe vendit që Teherani e quan “Shejtani i Vogël”, Izraeli i Netanyahu-t ndodhet sot në pozicionin strategjik më të fortë në historinë e tij.

Gjatë një lufte 12-ditore vitin e kaluar, Izraeli shkatërroi mbrojtjen ajrore të Iranit, vrau shkencëtarë bërthamorë dhe drejtues të lartë ushtarakë, si dhe bindi SHBA-në të përdorte armët më të fuqishme konvencionale kundër objekteve bërthamore nëntokësore iraniane. Po ashtu, kjo nxiti frikë brenda regjimit iranian për tradhtarë të lidhur me Izraelin.

Por zyrtarë izraelitë thonë se Trump shtyu për një armëpushim përpara se Izraeli të mund të shkatërronte plotësisht kapacitetet e mëdha të raketave balistike të Gardës Revolucionare Islamike, disa prej të cilave arritën të depërtonin mbrojtjen ajrore shumështresore të Izraelit. “Hesapetë palara,” tha një zyrtar ushtarak izraelit, duke paralajmëruar se Irani po rindërton arsenalin e tij.

Trump deklaroi muajin e kaluar, gjatë një vizite të Netanyahu-t, se SHBA-ja “nuk do të ketë zgjidhje tjetër” veçse të godasë Iranin nëse zbulohet se po rindërton arsenalin. Megjithatë, ai shtoi se këto raportime ende nuk ishin konfirmuar.

Këtë muaj, presidenti amerikan përdori një ton më agresiv, në reagim ndaj përkeqësimit të shtypjes së protestuesve nga regjimi, duke premtuar se do t’u vijë në “ndihmë”, çka i jep Izraelit mundësinë të përfitojë pa u përfshirë drejtpërdrejt.

“Është një mundësi historike për të sjellë ndryshim, dhe një ndryshim dramatik, në Lindjen e Mesme dhe në botë,” tha Zohar Palti, ish-drejtues i politikave në ministrinë izraelite të Mbrojtjes dhe ish-shef i inteligjencës në Mossad.

Një ish-zyrtar amerikan që ka punuar për Iranin dhe rajonin tha se Izraeli e kupton se ka “një dritare të artë me Trump-in” dhe se presidenti amerikan është kryesisht i gatshëm t’ia “delegojë dosjen e Iranit Izraelit”.

Trump ende nuk ka treguar nëse ka marrë një vendim përfundimtar për mënyrën dhe kohën e një sulmi. Analistë të mbrojtjes dhe ish-zyrtarë thanë këtë javë se objektivat e mundshëm mund të jenë baza të regjimit apo të Gardës Revolucionare, infrastruktura ose edhe udhëheqja, por deri të mërkurën presidenti dukej ende në dilemë për llojin e ndërhyrjes që do të përmbushte premtimin për të ndihmuar protestuesit.

Administrata Trump ka treguar gjithashtu pak dëshirë për ndërhyrje të gjata ushtarake. “Këto gjëra bëhen para mëngjesit,” tha Brian Mast, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mbështetës i Trump-it.

Sima Shine, ish-drejtuese e kërkimit në Mossad, tha se pakkush në Izrael pret që kërcënimet e Trump-it të sjellin “ëndrrën përrallore, ndryshim regjimi, një sistem demokratik pro-perëndimor që zë rrënjë në Iran dhe prodhon marrëdhënie të mira”.

Megjithatë, sipas saj, është e qartë se Izraeli dhe SHBA-ja po bashkëpunojnë prapa skenave. Të dy vendet ndajnë rregullisht informacione dhe kanë bashkëpunuar më parë në operacione kundër Iranit, përfshirë vrasjen e gjeneralit të Gardës Revolucionare, Qassem Soleimani.

Inteligjenca izraelite ka treguar prej vitesh sa thellë ka depërtuar në Iran, duke vrarë shkencëtarë bërthamorë, duke përdorur dronë në territorin iranian dhe duke kryer sulme ajrore të synuara kundër drejtuesve ushtarakë.

Megjithatë, Izraeli nuk e ka ndjekur kurrë seriozisht ndryshimin e regjimit në Iran, pasi ka mësuar kufijtë e fuqisë së tij kur dështoi në vitet 1980 të vendoste një qeveri miqësore në Liban.

Ndërkohë, Trump është forcuar nga suksesi i një misioni të fundit ushtarak amerikan për të nxjerrë ish-presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, nga strehimi i tij i fortifikuar në Karakas dhe për ta dërguar brenda natës në një gjykatë amerikane.

“Pyetja më e madhe në Uashington tani është: a ka ndryshuar marrëdhënia e Trump-it me përdorimin e forcës?” tha një ish-zyrtar i mbrojtjes amerikane. “Kur sheh se funksionon, operacione të ndërlikuara ushtarake pa viktima, kjo e nxit më tej.”

Ndërsa Trump është fokusuar publikisht te dëshira për të “ndihmuar” protestuesit iranianë, Izraeli shpreson që sulmet amerikane të përfshijnë edhe objektet e prodhimit të raketave balistike të Iranit, ose që Uashingtoni të negociojë mbylljen e tyre, thanë disa zyrtarë izraelitë.

Edhe pse SHBA-ja dhe Izraeli shpesh duken në një linjë për veprimet në Lindjen e Mesme, tensione apo edhe dallime interesash ndihen shpesh privatisht mes tyre, tha një ish-zyrtar amerikan që ka punuar prej vitesh me Netanyahu-n.

“A e miratoi Netanyahu marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin? As me Obamën, as kur Trump filloi negociatat,” tha ai.

Trump është gjithashtu më i ndjeshëm se administratat e mëparshme ndaj marrëdhënieve të tij të ngushta me shtetet e Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin. Një shembje kaotike e regjimit iranian, apo edhe sulme hakmarrëse iraniane, të cilat vitin e kaluar goditën një bazë amerikane në Katar, rrezikojnë destabilizim të mëtejshëm në një rajon të përfshirë nga më shumë se dy vite luftë.

“Shtetet e Gjirit nuk janë në të njëjtën linjë, as me amerikanët dhe as me ne,” tha Shine. “Ata mendojnë për interesat e tyre dhe për marrëdhëniet e përmirësuara me Iranin. Dhe sigurisht, nuk duan të shohin zhvillime që e forcojnë më tej Izraelin.” / Financial Times – Syri.net

Comments