KEK padit Janina Ymerin, ajo akuzon Kurtin për përndjekje politike

144

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka parashtruar padi ndaj Janina Ymerit të LDK-së, si pjesë e siç thuhet, veprimeve ligjore për mbrojtjen e integritetit institucional.

Sipas njoftimit Ymeri “në mënyrë të vazhdueshme, ka shpërndarë informata të pasakta, propaganduese dhe të pavërtetuara lidhur me prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar konfuzion te opinioni publik dhe duke tentuar t’i atribuojë KEK-ut përgjegjësi që nuk i përkasin.”

“Në mënyrë të papranueshme, në paraqitjet e saj të fundit, ajo ka denigruar edhe punonjësit dhe përfaqësuesit e KEK sh.a., duke shkelur standardet profesionale dhe etike të komunikimit publik. Kjo sjellje është e dëmshme për imazhin institucional të Korporatës dhe nuk mund të tolerohet.

I bindur në korrektësinë e plotë të njoftimeve të bazuara në të dhëna zyrtare, dhe duke besuar në funksionimin e shtetit ligjor, KEK sh.a. ka parashtruar këtë padi dhe është e vendosur që, edhe në të ardhmen, në çdo rast të keqinformimit tendencioz të parashtrojë padi pranë organeve kompetente të drejtësisë, për të përcaktuar qartë se kush po çorienton opinionin publik dhe për çfarë qëllimesh.”/Klankosova.tv

Kandidatja e LDK-së për deputete, Janina Ymeri, ka reaguar pasi Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi se ka parashtruar padi ndaj deklaratave të saj “të pasakta, propaganduese dhe të pavërtetuara lidhur me prodhimin e energjisë elektrike”.

Ymeri ka radhitur disa pika për ta sqaruar qëndrimin e saj, ndërsa ka deklaruar se nuk do të hesht për këtë çështje, transmeton Klankosova.tv

Ajo tha se padia e bërë publike ka për qëllim frikësimin e saj, prandaj po e kthen ëprgjigjen publikisht.

“Sipas LIGJIT NR. 02/L-65 LIGJI CIVIL KUNDËR SHPIFJES DHE FYERJES, Neni 5.4, autoritetet publike ndalohen shprehimisht të kërkojnë dëmshpërblim për shpifje. KEK-u është 100% shtetëror. Juristët e KEK-ut e dinë (ose duhet ta kenë ditur) këtë, por e kanë dorëzuar padinë vetëm për tendencë frikësimi dhe përndjekjeje – gjë që dëshmohet edhe nga publikimi i qëllimshëm i adresës sime të banimit qe është shkelje flagrante e LIGJI NR. 06/L-082 PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE

Duke marrë parasysh që KEK është një ndërmarrje e menaxhuar nga të emëruar politikë, kjo padi është një akt i përndjekjes politike të orkestruar nga Albin Kurti dhe sejmenet e tij në KEK.

Analizat e mia gjithmonë janë bazuar në fakte që mund të vërtetohen publikisht, por fatkeqësisht edhe të përjetohen në lëkurë (terr dhe shtrenjtimi i rrymës). Po flasim për një korporatë, ish-Kryeshefi i së cilës, Nagip Krasniqi, aktualisht po gjykohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Po flasim për “dështime teknike” të çuditshme që ndodhin pikërisht kur çmimet e importit janë në kulm. Të ngresh zërin për këtë nuk është shpifje, është detyrë.” /Klankosova.tv

Comments are closed.