Konflikti mes grupeve Sekiraqa dhe Capat: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj 9 personave

166

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër 9 të pandehurve për rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.

Në shtator të 2024-ës, lidhur me këtë rast ishin arrestuar të pandehurit Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi dhe Vesel Bunjaku.

“Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R; V.A; D.M; E.M, të grupit të njohur me nofkën ‘’C’’, me datë 01.09.2024, rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, në bashkëkryerje, pas një marrëveshje paraprake janë mbledhur, janë maskuar dhe janë pajisur armë të gjata dhe armë të shkurtra (revole) si dhe mjete të forta (stupca). Të njëjtit kanë marrë në përdorim tri (3) vetura të markave Porsche, Volkswagen Polo dhe Audi A7, të cilave ua kanë ndërruar targat duke vendosur targa të vjedhura duke tentuar ta privojnë nga jeta të pandehurit tjerë S. S., dhe anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A; E.LL, dhe R.LL”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.5 dhe 1.11, lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par. 1 i Kodit Penal.

Më tej, thuhet se Salih Sekiraqa dhe tre anëtarët e grupit të tij, akuzohen se gjatë shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve, kanë privuar nga jeta Premtim Gashin dhe kanë tentuar të privojnë nga jeta të pandehurit tjerë.

“Ndërkohë, i pandehuri S. S., së bashku me anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A;E.LL, dhe R.LL. me dashje dhe dijeni, të përgatitur me armë zjarri, në bashkëkryerje dhe me qëllim të privimit nga jeta dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit në mes të dy grupeve, në po në të njëjtin vend kanë privuar nga jeta të ndjerin P:G, dhe kanë tentuar të privojnë nga jeta edhe të pandehurit tjerë”, njofton Prokuroria.

Comments