“Ajde o king, o king, o shef. Ajde o shef, ajde o king. Se ti je king”.
Ishte kjo pritja që persona të caktuar i bënë ish zëvendëskryeministrit, Artan Grubi në momentin kur doli nga Gjykata Penale dhe u nis për në shtëpi. Mesa duket kjo pritje por edhe vetë paraqitja e Grubit i gjeti në gjumë edhe partitë politike, e posaçërisht ato të koalicionit VLEN. Sot reagimi i tyre më shumë i referohej figurës politike të Grubit, se sa kartës së tij penale. Sipas tyre, Grubi po i sjell fundin edhe Ali Ahmetit.
“Artan Grubi nuk ishte një funksionar i zakonshëm. Ai ishte zbatuesi, koordinatori dhe njeriu i besuar për të gjitha vendimet kyçe gjatë viteve të fundit. Nga marrëveshjet prapa skenës, te tenderët e dyshimtë e deri te pazaret politike, Grubi ishte i pranishëm kudo ku ndërtohej pushteti i BDI-së”, thonë nga Koalicioni VLEN.
VMRO-DPMNE-ja e cila udhëheq me institucionet që duhej të vepronin në kohë që Grubi të mos arratisej apo ta riatdhesonin për ta nxjerr para drejtësisë, shmang vëmendjen nga kritikat drejt tyre duke akuzuar LSDM-në.
“A kanë frikë nga deklarimi i tij se mund të prek deri te ish kryetari i LSD-së, ish kryeministri? A për këtë arsye morën nëpër telefona dhe interesoheshin për deklaratën e Grubit?”, deklaroi Brane Petrushevski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Sipas LSDM-së, kthimi i Grubit është marrëveshje politike mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
“Shteti i të drejtës është varrosur. Marrëveshja mes VMRO-së dhe BDI-së u realizua para syve të opinionit. Pas dorëzimit në pikën kufitare ku Grubi doli i qeshur dhe me syze, u realizua skenari i arrestit shtëpiak”, u shpreh Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, Sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.
BDI ka përshëndetur vendimin e Grubit për t’u dorëzuar para organeve të rendit, duke kërkuar proces transparent, pa ndikime politike dhe duke i respektuar prezumimin e pafajësisë. /Alsat.mk

