Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhu, sot do të marrë edhe përgjegjësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes. Kjo pasi presidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati sot.
Nga 16:00, kur do të mbahet ceremonia e pranim-dorëzimi, Haxhiu do të jetë me dy “kapela”, duke ushtruar njëkohësisht postin e kryeparlamentares dhe atë të presidentes.
Një gjë të tillë, sipas Kushtetutës së Kosovës, ka të drejtë ta bëjë për 6 muaj.
Me të marrë këtë përgjegjësi, Haxhiun në zyre e pret një vendim, i cili do të tregoi shumë se si do të jetë ajo në këtë pozitë.
Në tavolinë e ka çështja e emërimit të anëtarit të dhjetë të KQZ-së, të cilin e kanë kërkuar LVV-ja dhe PDK-ja.
Ndonëse njohësit e kushtetutës kanë bërë me dije se ky vend në KQZ i takon PDK-së, Vjosa Osmani nuk pati guxim të ia emëronte partisë së Hamzës anëtarin e dytë.
Në këtë mënyrë Osmani nuk e respektoi praktiken që e kishte ndërtuar në vitin 2021.
Nëse ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ia plotëson dëshirën VV-së, duke ia emëruar anëtarin e tretë, ajo mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo pas PDK-ja ka paralajmëruar se në rast të mohimit të së drejtës së përfaqësimit në KQZ, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Sipas PDK-së, Kushtetuta është e qartë dhe gjithashtu edhe praktika institucionale tashmë është e konsoliduar.
Favorizimi i partisë së saj, Lëvizjes Vetëvendosje, duke ia plotësuar dëshirën për emërimin e anëtarit të 3-të në KQZ, mund ta bëjë Haxhiun në shkelëse të Kushtetutës, respektivisht nenit 139, ku në mënyrë të qartë është shpjeguar se si bëhet ndarja e ulëseve në institucionin e zgjedhjeve për grupet parlamentare shqiptare.
Një situatë e tillë vetëm sa do ta thellojë krizën politike në vend, pasi në rast se Haxhiu do të deklarohej si shkelëse e Kushtetutës së Kosovës, ajo nuk do të mund të vazhdojë të qëndrojë as si UD e Presidentes së Kosovës.
Gazeta Nacionale ka raportuar të premten, më 3 prill, se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditët e fundit të mandatit të saj nuk do të ndërmarrë asnjë hap në zbatim të nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës për të emëruar edhe anëtarin e fundit të KQZ-së.
Sipas të njëjtave burimeve, kjo çështje do t’i mbetet në tavolinë Albulena Haxhiut të VV-së, e cila si Kryetare e Kuvendit, më 4 prill do të fillojë detyrën e re, atë të UD së Presidentes së Kosovës.
Në vitin 2021, Osmani kishte vendosur që Partisë Demokratike të Kosovës t’i takonin 2 ulëse në KQZ dhe kësisoj kishte refuzuar kërkesën e Vetëvendosjes për emërimin e anëtarit të 3-të në këtë institucion që organizon zgjedhje në vend.


Comments are closed.