Kaos në kufijtë e BE-së: Sistemi i ri EES rrit pritjet deri në 3 orë, kërkohet pezullimi i tij urgjent

100

Liderët e industrisë së aviacionit u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të përdorin kompetencat e emergjencës për të pezulluar rregullat e reja të imigracionit, të cilat po shkaktojnë ndërprerje të rënda operacionale vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi.

Zbatimi i plotë i Sistemit të Hyrje/Daljes (EES) më 10 prill ka rritur kohën e përpunimit në kufi deri në 70%, ku organizata ndërkombëtare e aeroporteve “ACI” raporton kohë pritjeje prej tre orësh në shumicën e rasteve. Olivier Jankovec, drejtor i degës evropiane të “ACI”, deklaroi për “Financial Times” se kjo situatë do të jetë thjesht e papërballueshme gjatë muajve të verës. Sistemi, i cili aplikohet në 25 vende të BE-së plus katër vende partnere, kërkon që udhëtarët nga vendet jashtë bllokut, përfshirë ata nga Maqedonia e Veriut, të regjistrojnë të dhënat personale dhe biometrike në kufi.

Megjithëse Komisioni Evropian pretendon se sistemi po funksionon mirë dhe se regjistrimi zgjat mesatarisht 70 sekonda, “ACI” kërkon autorizim për të pezulluar plotësisht kontrollet e reja sa herë që krijohen radhë të pamenaxhueshme. Përveç këtyre vonesave, aeroportet evropiane po përgatiten edhe për një krizë të mundshme të furnizimit me karburant për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, gjë që mund të çojë në mungesa sistematike brenda tre javësh.

Comments