Grabitje si nëpër filma/ Hajdutët futen në një bankë në Napoli dhe mbajnë peng 25 persona, arratisen duke përdorur rrjetin e kanalizimeve

137

Një grabitje spektakolare ka tronditur Napoli, ku një bandë e armatosur sulmoi një bankë në mes të ditës, mori peng dhjetëra persona dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë.

Ngjarja ndodhi në një degë të Crédit Agricole në zonën e Arenella, në Piazza Medaglie d’Oro, ku të paktën 25 persona, klientë dhe punonjës, u mbajtën peng për disa orë.

Grabitja nisi rreth orës 12:00, kur një grup prej të paktën pesë personash të maskuar hyri me forcë në bankë. Sipas dëshmitarëve, autorët përdorën një makinë si “dash” për të thyer xhamin e hyrjes dhe mbanin maska që përfaqësonin aktorë të njohur amerikanë.

Një kalimtar i rastësishëm, duke vënë re lëvizjet e dyshimta, lajmëroi menjëherë policinë, duke aktivizuar një operacion të madh të forcave të rendit. Brenda pak minutash, zona u rrethua nga karabinierët dhe zjarrfikësit.

Forcat speciale ndërhynë duke hapur një hyrje në bankë me ndihmën e një arieteje, ndërsa më pas nisi një negociatë e tensionuar me grabitësit. Rreth orës 15:00, të gjithë pengjet u liruan.

Gjashtë persona, mes tyre punonjës dhe klientë, morën ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Në vendngjarje mbërriti edhe prokurori i Napolit, Nicola Gratteri, për të ndjekur nga afër zhvillimet.

Megjithatë, ndërsa forcat speciale të njësisë elitare GIS përgatiteshin të hynin në bankë, grabitësit kishin arritur të zhdukeshin. Sipas hetimeve paraprake, ata kishin zbrazur kasetat e sigurisë dhe më pas ishin arratisur përmes një tuneli të hapur më parë.

Dyshohet se kanali i arratisjes lidhej me rrjetin e kanalizimeve, duke u dhënë mundësinë autorëve të largoheshin në mënyrë të padukshme, ndoshta deri në zonën e metrosë.

Autoritetet italiane kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e autorëve, ndërsa rasti po konsiderohet si një nga grabitjet më të sofistikuara të viteve të fundit në Itali.

Ngjarja, me elemente që të kujtojnë skenarë filmash aksion, ka rikthyer vëmendjen te siguria bankare dhe metodat gjithnjë e më të avancuara të krimit të organizuar.

Comments