Kallëzim penal për Blerim Bexhetin, “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare”
Njësiti Kundër Korrupsionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kundër ish kryetarit të Sarajit Blerim Bexheti dhe një zyrtari nga Qyteti i Shkupit me inicialet Z.D. për “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar”, pasi kanë mundësuar që një kompani nga fshati Krushopek të përfitojë në mënyrë të paligjshme mbi 700 mijë euro.
“Z.D. pasi është autorizuar nga Kryetari i Qytetit të Shkupit për të nënshkruar akte në vitin 2021, i ka mundësuar personit juridik (nga Krushopeki) të fitojë të drejtën, përkatësisht vendimin për përcaktimin e regjimit të qarkullimit, ndërsa mbi këtë bazë dhe autorizimin për të kryer kontrollin teknik të subjektit juridik, megjithëse ka qenë në dijeni se kompetenca për lëshimin e vendimit të këtillë është në kompetencë të Komunës së Sarajit, e jo të Qytetit të Shkupit, me çka ka vepruar në kundërshtim me nenin 20 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale”. – Ministria e Punëve të Brendshme.
Me këtë, kompania ka fituar në mënyrë të kundërligjshme.
“Më pas, B.B., në cilësinë e personit të autorizuar zyrtar, kryetar i Komunës së Sarajit, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimin e tij zyrtar, i ka mundësuar po këtij personi juridik të përfitojë dobi pasurore të paligjshme në shumë prej 42.851.205 denarësh”. – Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, Bexheti në periudhën nga tetori 2022 deri në mars 2023, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Planifikim Urban dhe Ligjin për ndërtim, dy herë ka miratuar vendim për regjimin e qarkullimit dhe ndryshim të vendimit në bazë të kërkesave nga kompania e Krushopeki, pa kryer mbikëqyrje paraprake edhe pse ndryshimet nuk kanë në përputhje me Planin Urbanistik për fshatin Gllumovë. Në nëntor të vitit të kaluar, kundër Bexhetit u dorëzua edhe një kallëzim tjetër penal, por asokohe nga Policia Financiare për keqpërdorim të detyrës zyrtare, neglizhencë në punë dhe falsifikim të dokumenteve afariste, nën dyshimin se ka lëshuar leje ndërtimi dhe dokumente me përmbajtje të rreme për një parcelë pa plan urbanistik të miratuar. Bexheti, kallëzimin e quajti të motivuar politikisht. /Alsat.mk

