Vëllai i Faruk Mujkës në mesin e 21 të arrestuarve në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Mitrovicë

28

Fahredin Mujka, vëllai i Faruk Mujka, është në mesin e 21 personave të arrestuar në kuadër të një operacioni të madh kundër bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale, për të cilin Sinjali ka raportuar ekskluzivisht.

Aksioni është zhvilluar në disa qytete, përfshirë Mitrovicën, Vushtrrinë, Prishtinën dhe Istogun, në koordinim mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Sipas informacioneve, Fahredin Mujka (55 vjeç) dyshohet për përfshirje në organizimin e aktiviteteve ilegale të lojërave të fatit.

Gjatë bastisjeve në dhjetëra lokacione janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, vetura, telefona dhe dy armë zjarri, ndërsa disa nga të dyshuarit janë kapur në flagrancë.

Por as vet Faruk Mujka nuk është i pastër nga akuzat, pasi ai përballet me disa procedura penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, mosraportim të pasurisë dhe dyshime për raste financiare që lidhen me periudhën e tij në detyrë publike.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Comments are closed.