100 VJET NËN UJË, ZBULOHET ANIJA E MBYTUR NË KARABURUN

508

Një anijemadhështore, e pajisur me armë të rënda, ende pa emër, e mbytur rreth 100 vjet më parë është zbuluar së fundmi në funddetin e Jonit.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, i cili tha se jahti është gjetur në afërsi të Gadishullit të Karaburunit.

“Bëhet fjalë për një anije civile e pajisur me mitralozë dhe e përdorur për qëllime ushtarake. Anija është ruajtur mjaft mirë, ajo gjendet në thellësi të madhe dhe duket se është goditur kur ka qenë në lundrim”, ka thënë Tare.

jahti1Nga fotografitë e realizuar nga një robot i dërguar në afërsi të anijes, duket qartë mitralozi i vendosur në bash, i rrethuar tani nga alga të shumta, si dhe ai që njihet si oxhaku i avullit.

“Kjo anije u gjet në kuadër të një bashkëpunimi mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe specialistëve amerikanë të hartografisë navale. Mendohet se anija është mbytur gjatë Luftës së Parë Botërore, e goditur nga një silur i nëndetëseve austriake, të cilat patrullonin edhe detin Adriatik nga baza e Kotorrit”, sqaron Tare.

Relikti është zbuluar në një thellësi prej 50-60 metrash poshtë Karaburunit. Ende nuk është bërë verifikimi i tij edhe pse ka nisur puna për të verifikuar dhe konsultuar të gjitha tragjeditë e ndodhura rreth 100 vjet më parë në brigjet shqiptare.

Sipas Tares, në kuadër të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, bashkë me specialistët e fushës është duke punuar për identifikimin dhe zbardhjen e disa prej tragjedive më të mëdha navale të historisë në birgjet e Shqipërisë.

Pjesë e këtij procesi ishin edhe xhirimet e fundit në reliktin historik të anijes “Regina Margherita”, e cila mendohet të jetë mbytur nga nëndetëset austriake në Gjirin e Vlorës në vitin 1916.

Comments