A do kandidojë Ilir Meta për President? Flet kreu i Kuvendit


Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nga Korça ku po zhvillohet një takim me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk komentoi zërat se ai mund të kandidojë për postin e Presidentit të Republikës.
“Nuk kam asnjë koment për gara të pashpallura. Gara e vetme ku marr pjesë është ajo e LSI-së, që e konsideroj si sfidë për lëvizje të metejshme që do ta nis nga Korça”, u shpreh Meta.
Sa i takon temës së nxehtë që është kryefjala e akuzave të opozitës, kultivimi i kanabisit, Meta tha se e ardhmja e Shqipërisë është bujqësia.
“E ardhmja e Shqipërisë, bujqësia dhe jo kanabisi. Politika të marrë vendim, jo të shmanget. Të vendosim si do sillemi me këtë fenomen”, theksoi Meta.
Por Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e sheh kryeparlamentarin Meta një kandidat të fortë për President të ardhshëm.
I ftuar në emisionin “Debati” në Channel One, të gazetarit Roland Qafoku, Bushati u shpreh se kandidimi i Metës do të varet nga koalicioni dhe votat që janë në Parlament.
“A mund të jetë kandidat, natyrisht që është kandidat i fortë për President”, u shpreh Bushati në emision.
Ndërsa dje, deputeti Arben Çuko gjatë një interviste në “Report TV” në emisionin “45 minuta”, shtkoi më tej duke thënë se “Meta President, do të lehtësonte rrugën e së majtës në pushtet”. “Ilir Meta si president i shtetit shqiptar do të lehtësonte më tepër rrugën e gjatë që ka përpara e majta në këto 8 vitet e ardhshme apo më tepër”, ha Çuko.
Por, deklaratave të zyrtarëve të PS-së i ka dhënë përgjigje zv.kryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e cila thekson se, Meta është frymëzues i LSI-së për zgjedhje e ardhshme parlamentare.
“Une mendoj se Z.Meta ndihet i respektuar nga vleresimi i disa prej figurave te Partise Socialiste qe e shohin se pari si njeriun konsensual dhe konstruktiv dhe si Presidentin e ardhshem te Shqiperise. Megjithate them se detyra e Metes si kryetar i parlamentit ende nuk ka mbaruar dhe roli i tij konstruktiv eshte dhe mbetet i pazevndesueshem ne keto kohe tensionesh te medha politike. Levizja Socialiste per Integrim keto dite po futet ne nje proces zgjedhor ku z. Meta eshte kandidati kryesor dhe ne kete moment te rendesishem politik per LSI ai eshte drejtuesi dhe inspiruesi i pazevendesueshem ne suksesin e zgjedhjeve te ardhshme”, shkruan deputetja në Facebook.