Adelina Thaqi deklaron pasurinë: BMW 11,500 euro – mbi pesë mijë euro kursime dhe kredi 90 mijë euro për patundshmëri
Deputetja e Kuvendit dhe këngëtarja e dorëzoi deklarimin “me rastin e marrjes së detyrës” më 11 mars 2026, ku figurojnë edhe angazhimet e saj në UBT dhe në një kompani private.
Këngëtarja dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adelina Thaqi Meta, ka dorëzuar deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, në kuadër të regjistrit për deklarimin e pasurisë.
Sipas dokumentit, deklarimi është bërë me rastin e marrjes së detyrës dhe është dorëzuar më 11 mars 2026, ndërsa Thaqi Meta është e emëruar në funksionin deputete e Kuvendit të Kosovës që nga 11 shkurt 2026.
Te pasuritë e luajtshme mbi 3 mijë euro, ajo ka deklaruar një veturë BMW, të blerë në vitin 2016, me vlerë 11,500 euro, me pronësi të shënuar si e përbashkët.
Ndërkaq, te rubrika e pasurive të paluajtshme, në deklarim figuron se nuk ka të dhëna të deklaruara.
Përveç mandatit si deputete, Thaqi Meta ka deklaruar edhe funksione/aktivitete të tjera, përfshirë angazhimin si ligjëruese në Kolegjin UBT (Bachelor dhe Master – lënda Teknikë Vokale), që nga 02 dhjetor 2019, si dhe angazhimin si trajnerja e vokalit (Vocal Coach) në Hidden Records L.L.C., që nga 02 shkurt 2026.
Në pjesën e detyrimeve financiare, ajo ka deklaruar kredi në Raiffeisen Bank Kosovo për blerje të patundshmërisë, me datë fillimi 05.08.2021 dhe afat mbarimi 05.08.2036 (120 muaj). Vlera fillestare e kredisë është 90,000 euro, ndërsa vlera e mbetur figuron 74,919 euro, me pronësi të shënuar të përbashkët.
Te paratë e gatshme/kursimet në bankë, deputetja ka deklaruar 5,060 euro në Raiffeisen Bank Kosovo, të përshkruara si kursime/kompensim nga sigurimi shëndetësor.
Në rubrikën e të ardhurave vjetore, Thaqi Meta ka deklaruar 1,547 euro pagë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, 713 euro nga Kolegji UBT, si dhe 500 euro nga Hidden Records L.L.C.. Ndërsa për bashkëshortin/ën janë deklaruar 1,732 euro pagë nga Thaci Group shpk.
Sipas deklarimit, ajo nuk ka shënuar të dhëna për aksione në shoqëri tregtare, letra me vlerë apo kriptovaluta, ndërsa nuk figurojnë as donacione në parti politike apo shpenzime/donacione të tjera.

