Agolli motivon kuqezinjtë: Nuk ka më skuadra të vogla



Kapiteni i kombëtares kuqezi, i cili nuk ka qenë në fushë në takimin kundër Lihtenshtejn pritet që të rikthehet në formacion për një ndeshje të fortë si ajo kundër Spanjës që do të zhvillohet nesër. Mbrojtësi i krahut të majtë ndjehet gati për këtë takim, teksa në konferencën për shtyp të zhvilluar pak minuta më parë, tiranasi ka shprehur besimin se mund t’ia dalin për takimin e radhës.
“Kemi te bëjmë me një ekip shumë cilësor që ka në përbërje lojtarë që bëjnë diferencën. Mendoj që është një kundërshtar që ja imponon lojën e tyre çdo skuadre. Por mendoj që s’ka më skuadra të vogla dhe ata bëjnë mirë që mendojnë ashtu”.
“Këto eliminatore janë një rrugë e gjatë për ne, por ky është testi jonë i parë i fortë. Nuk kemi frikë, kemi respekt ndaj kësaj skuadre. Ne do të hyjmë në fushë me mendjen për të marrë një rezultat pozitiv, pse jo dhe të fitojmë ndeshjen”.
“Në të tilla ndeshje nuk ke nevojë të mobilizohesh, pasi të tilla skuadra krijojnë një atmosferë tjetër në skuadër. Mendoj se jemi gati për ta përballuar me sukses këtë sfide dhe pse duhet të japim më shumë nga mundësit që kemi për të marrë një rezultat pozitiv”,- përfundoi Ansi Agolli.