Ajvazi: Kërkojmë urgjentisht ndihmë pasi në Haraçinë nuk kemi ujë dhe mund të përhapet epidemi

213
fresco
midle
Kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi jep alarmin më tronditës, banorëve të Haraçinës u rrezikohet epidemi masovike për shkak se me ditë në këtë Komunë nuk ka ujë për pije dhe për pastrim. Ai këto komente i bëri për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal.
“Jemi të tronditur, me ditë nuk kemi ujë të pijshëm, banorët nuk kanë kushte elementare për jetë, nuk kanë ujë as për pije as për pastrim. Friksohem se mund të na kap ndonjë epidemi e madhe, andaj apeloj tek institucionet shtetërore që urgjentisht ti marrin masat e nevojshme në Komunën e Haraçinës”, ka deklaruar për Zhurnal, kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Ai thotë se në Haraçinë urgjentisht duhet të sigurohen cisterna për ujë i cili është i kontrolluar për shkak se në këtë komunë jetojnë mbi 10 mijë banorë dhe kërkesa për ujë është tepër e madhe.
Kryetari Ajvazi madje shprehet se në Haraçinë ende ka rrugë të shkatërruara, dhe për shkak të kësaj situate shumë banorë nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, andaj kërkon urgjentisht që Ministria e Transportit dhe Ministritë tjera të dalin në terren dhe të bëjnë sanimin e dëmeve.
“Kemi tepër rrugë të shkatërruara, banorët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre. Kërkojmë ndihmën nga institucionet përgjegjëse për shkak se ka banorë që nuk mund të dalin nga shtëpia. Podrumi i shkollës së Haraçinës është i mbushur plotë me ujë. Kemi dëme të mëdha materiale në rrugë dhe bujqit kanë dëme të mëdha”, tha mes tjerash Ajvazi.
Ai apelon që banorët e Haraçinës në asnjë mënyrë të mos pijnë ujë nga bunaret dhe hidroforet për shkak se ky ujë është i ndotur nga ujërat e zeza. Poashtu, kryetari Ajvazi thotë se nga Qeveria e Maqedonisë sot ka ardhur një Komision për të vlerësuar dëmet nga përmbytjet e fundit.
Comments